Barnat me afat të skaduar qytetarët i hedhin në plehra, farmacitë nuk e kanë obligim t’i marrin ato

Shteti nuk ka rregullore apo ligj që i detyron dhe mundëson qytetarëve që barnat me afat të skaduar që i posedojnë nëpër shtëpitë e tyre ti dorëzojnë në institucionet kompetente për asgjësimin e tyre. Mungesa e kësaj rregullative detyron qytetarët që barnat që ju skadon afati ti hedhin nëpër koshat e zakonshme të plehrave. Kjo sipas studimeve të shumta rezulton të jetë e rrezikshme për shëndetin e njerëzve.

“Nuk duhet të ketë barna të tillë, pasi janë të dëmshëm për shëndetin, por ka njerëz që se dinë, mendoj se nuk duhet të përdoren, por i hedhim çfarë të bëjmë”, tha një qytetar.

“I hedhim çfarë mund të bëjmë, i hedhim aty ku duhet, në shportën e mbeturinave. Por duhet të sigurohen por për fat të keq këtu tek ne nuk ka duhet shteti të mendoj për këtë”, shtoi një tjetër.

“Asgjë e shohim se a vlejnë apo jo. Kur nuk vlejnë i hedhim në zjarr”, theksoi një tjetër qytetar.

“Unë nuk përdori në përgjithësi barna ky është problemi”, shtoi një qytetar.

Ligji aktual është i rregulluar vetëm për farmacitë, të cilët e kanë për obligim të dorëzojnë kërkesë tek kompania farmaceutike “Malmed”, për asgjësimin e barnave. Deponia e vetme e autorizuar për asgjësimin e tyre është “Drislla” në Shkup. Drejtori i “Malmed”, Sefedin Jonuzi thotë së brenda muajit kanë mbi 15 kërkesa për asgjësimin e barnave me afat të skaduar.

“Për fat të keq ligji aktual apo edhe rregullorja që është në fuqi nuk e ka të rregulluar çështjen e personave fizik apo si ta themi popullatës që nëpër shtëpitë e tyre i kanë këto barna. Nëse ndodh që dikush dëshiron ti asgjësojë apo mënyrë tjetër, nuk është e rregulluar me ligj as me rregullore, të njëjtit duhet vetëm në mënyrë vullnetare nëse farmacitë dakordohen ti marrin”, tha Sefedin Jonuzi, drejtor i kompanisë farmaceutike “Malmed”.

Jonuzi thotë se janë në proces e sipër për sjelljen e një ligji të ri për barna dhe pajisje mjekësore, në të cilin do të rregullohet edhe kjo çështje, pasi ky ligj që në vitin 2007 nuk ka pësuar ndryshime. Një dispozitë jo e plotë ekziston por e njëjta nuk obligon qartë farmacitë se çfarë protokolle duhet të ndjekin për t’i asgjësuar barnat me afat të skaduar./Alsat.mk