Ambasadori i Italisë në Maqedoninë e Veriut, Sh.T. Paolo Palminteri, vizitoi sot Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve
AMBASADORI ITALIAN, PALMINTERI, VIZITOI ITSHKSH-në, HAPEN HORIZONTE TË REJA PËR SHKËMBIME TË FRYTSHME INSTITUCIONALE
Shkup, 10 janar 2025 – Ambasadori i Italisë në Maqedoninë e Veriut, Sh.T. Paolo Palminteri, vizitoi sot Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, ku u prit nga drejtori i institutit, z. Skender Asani.
Gjatë takimit, drejtori Asani e njohu ambasadorin italian me punën dhe të arriturat e institutit në fushën albanologjike, si dhe me përkushtimin e institucionit në forcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe harmonisë fetare. Ai theksoi se ky angazhim po vlerësohet gjerësisht jo vetëm brenda vendit dhe rajonit, por edhe nga institucionet relevante ndërkombëtare.Mirëpo, sipas drejtorit Asani, ka tendenca që këto të arritura të relatvizohen, madje edhe të përmbysen, duke krijuar parakushte iracionale për ndërhyrje politike nga jashtë në mbarëvarjtjen e punëve të ITSHKSH-së.
Nga ana e tij, ambasadori Palminteri shprehu vlerësimin për punën e institutit dhe rëndësinë e tij në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për të mbështetur aktivitetet e institutit dhe për të ndihmuar në krijimin e lidhjeve me institucionet përkatëse në Itali, duke shërbyer si një urë bashkëpunimi për projekte të përbashkëta në fushën e kulturës, historisë dhe shkencave humane.
Ky takim përforcoi përkushtimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit kulturor dhe akademik mes dy vendeve, duke hapur horizonte të reja për shkëmbime të frytshme institucionale.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup