Gjatë një mbledhjeje të organizuar nga Dega e BDI-së në Manastir, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka theksuar rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë që ka kaluar Maqedonia e Veriut.
Ahmeti, duke iu referuar periudhës para se BDI të merrte udhëheqjen, theksoi se Maqedonia e Veriut ishte një shtet i lënë pas dore, ndërsa tani, siç tha ai, “e lamë me Kryeministër shqiptar”, një arritje që dëshmon angazhimin e shqiptarëve për të kontribuar në zhvillimin e vendit.
Kryetari i BDI-së gjithashtu e theksoi faktin se shqiptarët asnjëherë nuk kanë kërkuar luftë për universitet, gjuhë dhe flamur, por ato u imponuan për shkak të kushteve të padrejtësisë dhe diskriminimit. Ai theksoi se, edhe në momentet më të vështira të historisë, shqiptarët qëndruan të bashkuar, dhe se ndarjet që janë bërë herë pas here vetëm kanë sjellë dëm dhe destabilizim për vendin.
“Shqiptarët janë një popull pa mendësi ndarëse, por herë pas here u imponuan ndasi të padrejta. Ndaj, tani duhet të bashkohemi për të ruajtur stabilitetin dhe karakterin multietnik të Maqedonisë së Veriut. Ky vend është i të gjithëve, shqiptarëve, maqedonasve dhe të gjitha grupeve etnike,” tha Ahmeti.
Ai po ashtu iu referua gabimeve nga e kaluara që kanë kontribuar në ndarje të brendshme dhe shkatërrimin e bashkimit, duke përmendur emra si Sinan Hasani dhe Ali Shukria, dhe i bëri thirrje shoqërisë shqiptare të mësojë nga e kaluara dhe të mos përsërisë gabimet e saj.
Në vijim, Ahmeti theksoi se BDI është një parti misionare dhe konsistente në qëndrimet e saj, duke u angazhuar për vetingun e politikanëve, hetimin e pasurisë së tyre dhe përpjekje të tjera për të forcuar sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve tek institucionet.
Në përfundim, ai u shpreh për rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndëretnike, duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit dhe dialogut të vazhdueshëm mund të sigurohet stabiliteti i vendit. Ahmeti bëri thirrje gjithashtu për koordinimin e aktiviteteve dhe politikave me aleatët perëndimorë për të parandaluar ndikimin rus që do të dëmtojë stabilitetin dhe integrimin e rajonit.
BDI do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit të Maqedonisë së Veriut, duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, dhe duke punuar për forcimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit.