Abdixhiku: LDK është alternativa e vetme që mund ta përmbysë gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në vend

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në vend.

Gjatë një interviste në emisionin “Rubikon”, Abdixhiku kritikoi diskursin politik të qeverisë, duke i quajtur “mediokritet politik” deklaratat e krerëve të qeverisë ‘Kosova po përjeton lulëzim ekonomik, ndërsa Gjermania po përjeton recension’.

“Është e papranueshme ne me pranu në këtë mediokritet politik që ndodh sot. ‘Gjermania në recesion e ne në lulëzim’. Dështim është i krejt intelektit të Kosovës, është dështim. Nuk jemi kaq të prapambetur ta bëjmë një gjë të tillë. Duhet luftuar deri në fund,” tha Abdixhiku.

Ai bëri thirrje për një qasje të re ndaj LDK-së, duke e parë atë jo vetëm si një parti politike, por si një lëvizje për ndryshimin e vendit.

“Prandaj edhe ftesa ime që LDK-në ta shohim parti përtej partiake. Mos e shihni LDK-në si parti. Më shihni përtej partisë. Lëvizje e ndryshimit e një Kosovë moderne ku ka projekte, ka zhvillim, ka mirëqenie, ka jetë të pangarkuar dhe s’ka përplasje e cila po na mban sot – shiheni kështu LDK-në. Shiheni këtë alternativë kështu. Ta themi drejtë: Është e vetmja alternativë që mund ta përmbysë gjendjen e tanishme.” – tha Abdixhiku.