Zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, Lukashenko kërkon mandatin e 7-të pas 30 vitesh në pushtet

Bjellorusia po mban ditën e sotme zgjedhjet presidenciale, ndërsa presidenti Lukashenko kërkon një mandat të shtatë për të qeverisur.

Për 30 vitet e fundit, Lukashenko, 70 vjeç, i quajtur nga shumë analistë si “diktatori i fundit i Evropës”, ka qeverisur vendin me një grusht të hekurt, duke shtypur të gjithë opozitën dhe zërat kundër tij.

Presidenti, i cili nuk është angazhuar në një fushatë elektorale gjatë garës, tha javën e kaluar, “Të jem i sinqertë, nuk e ndjek atë. Unë thjesht nuk kam kohë për të.”

Pas zgjedhjeve të fundit në 2020, kur lideri u shpall fitues, shpërthyen protesta masive.

Opozita dhe Perëndimi pretenduan se zgjedhjet ishin të vjedhura dhe kandidatja kryesore për Presidente, Sviatlana Tsikhanouskaya, u detyrua të largohej nga vendi.

Tani, me kundërshtarët e tij politikë ose të burgosur ose të internuar, suksesi i Lukashenkos të dielën besohet gjerësisht se është i garantuar.

Zgjedhjet fillimisht ishin planifikuar për në gusht, por u zhvendosën në dimër.

Sipas analistit politik bjellorus Valery Karbalevich , zgjedhjet u shtynë për në dimër, sepse në “janarin e acartë nuk mund të ketë protesta.”