Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se qëllimi i qeverisë së tij është që Serbia të fillojë përdorimin e veturave fluturuese deri në vitin 2027.
Vuçiq, i cili ndodhet në Davos për takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, ka bërë të ditur se për këtë temë ka diskutuar me kompaninë amerikane “Archer Aviation”, një nga kompanitë më të njohura që merret me veturat dhe dronët fluturues.
“Kemi filluar negociatat për blerjen e së paku tre veturave të tilla”, tha Vuçiq, duke shtuar se negociata janë duke u zhvilluar edhe me “miqtë tanë kinezë” dhe se ka përparim në atë fushë.
“Do të nxitojmë dhe do të përpiqemi të përfundojmë gjithçka që lidhet me rregulloren deri në vitin 2026, në mënyrë që të mund të ngasim vetura fluturuese deri në vitin 2027”, tha presidenti serb.