Prokurorja e çështjes së vrasjes së Liridona Ademajt, Javorka Perlinçeviq ka thënë se e vetmja gjë që ka vonuar në ngritjen e aktakuzës ka qenë zbulimi i motivit që e ka shtyrë Naim Murselin ta planifikojë vrasjen e bashkëshortes.
Ajo bëri të ditur se kanë kërkuar përgjigje nga shteti i Suedisë, aty ku ka jetuar çifti më herët.
Për detajet e aktakuzës nuk mund të flasim. Çka ka munguar është motivi që e ka shtyrë Naim Murselin ta vrasë Liridona Ademajn. Kemi shfrytëzuar ndihmën ndërkombëtare nga Mbretëria e Suedisë dhe për këtë arsye organeve të Suedisë i jemi drejtuar të na dërgojë të dhëna për jetën e tyre familjare. Kemi marrë përgjigje në pyetjet që kemi dërguar atje dhe atëherë kemi mundur të kemi pasqyrën e plotë të ngjarjes. Përderisa kanë jetuar në Suedi kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara dhe kanë pasur çështje edhe financiare. Për të gjithë emrat e të pandehurve në këtë lëndë e dimë se kush janë. Keni dëgjuar emrin e njërit që i ka planifikuar të gjitha e ai është Naim Murseli…”, ka thënë Perlinçeviq.
“Tani që kemi edhe motivin kemi zbulua edhe faktin pse ka ndodhur dhe pse janë përfshirë edhe si janë përfshirë edhe Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava”, është shprehur ajo.
Prokurorja ka thënë se do të kërkojë dënim maksimal për kryerësit e kësaj vepre.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, të mërkurën ka konfirmuar është ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademaj.
Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Ademajt, akuzohet se ka përgatitur planin për ta vrarë Liridonën më 29 nëntor të vitit 2023. Granit Plava akuzohet si doras, ndërsa Kushtrimi Kokalla, ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë (FSK), akuzohet se ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale. Të tre janë në paraburgim. Në akuzë është përfshirë edhe një i dyshuar i katërt, që nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në rast.