“Vjedhja” e lekëve të BE-së, Ilir Beqaj mbetet në burg

Rrëzohet kërkesa e Ilir Beqajt për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg” lidhur me hetimet për dosjen SASPAC.

Avokati i ish-ministrit të Shëndetësisë, njëherësh ish-drejtorit të SASPAC, kërkoi ndryshim mase me argumentin se nuk është marrë i pandehur nga SPAK dhe se nuk ka rrezik për t’u larguar nga vendi, duke qenë se Beqaj është treguar bashkëpunues.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Rudina Palloj në seancën e kësaj të premte, e cila nisi në orën 09.30.

HETIMET E ABUZIMIT ME FONDET E BE

Për dosjen SASPAC, në qelinë e paraburgimit ndodhet Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla ndërsa të tjerët kane masë me të butë sigurie.

Beqaj dyshohet se ka abuzuar me fondet e BE kur ishte në krye të kësaj agjencie. Kurse për çështjen e Sterilizimit, ish-ministri po ndiqet në gjendje të lirë.

Në këtë dosje ka 8 persona nën akuzë, mes tyre edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, teksa në muajin Mars 2024 SPAK e dërgoi dosjen e Sterilizimit për gjykim.

Ilir Beqaj si drejtues i SASPAC, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.

Ndaj Ilir Beqaj SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv, mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë, mashtrimit, dhe pabarazisë në tenderë.

Ilir Beqaj u arrestua në datë 4 korrik të vitit 2024 me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve që po kryhen nga prokurorja Elida Kaçkini, për abuzimet me fondet e SASPAC