VIDEO/ Bardhi: Vetë-deklarim nga deputetët nëse kanë përdorur “Sky ECC”, Çuçi: Të mos bëjmë populizëm këtu

Në mbledhjen e sotme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi ka shprehur qëndrimin e mazhorancës lidhur me propozimin e opozitës që deputetët të vetë-deklarojnë nëse kanë qenë apo jo përdorues të aplikacionit “Sky Ecc”.

Çuçi tha se ky propozim duhet shqyrtuar në një grup më të gjerë pune dhe të mos bëhet retorikë apo populizëm për interesa politike të ditës.

DISKUTIMET

GAZMENT BARDHI: “Nuk po them se deputetët e kanë përdorur për krime. Mund ta kenë përdorur për arsye private të jetës tyre. Por secili prej nesh do duhet të deklarojë e ka përdorur apo ja platformën e “Sky Ecc”. Kjo është e gjitha.

Kush nuk ka asgjë për të fshehur nuk ka pse të frikësohet. Për sa kohë ne ja kemi vënë detyrim funksionareve të tjerë të shtetit do duhet ta nisim nga vetja. Kjo është e ndershme.

Sa kohë detyrojmë një funksionar policie që paguhet me 600 mijë lekë të vjetra ne do duhet nisim ne nga vetja. Ky është standard moral”.

BLEDI ÇUÇI: “Doja të shprehja qëndrimin e grupit tonë parlamentar, pavarësisht nga çfarë mendoj unë se si ruhet integriteti i deputetit.

Nga pikëpamja proceduriale këtë duhet ta shqyrtojmë edhe në një grup pune, sepse janë disa çështje proceduriale që duhen parë. A është kjo çështje Rregullores së Kuvendit apo jo?

A duhet të merret Rregullorja vetëm me një aplikacion se janë disa të tilla? A e afekton kjo Kodin Penal apo jo? Pra, janë disa çështje që duhen shqyrtuar. Le ta shqyrtojë një grup profesionistësh këtë çështje nëse afekton apo jo Kodin Penal.

Mund ta përfshijmë te formulari i vetë-deklarimit përpara kandidimit apo mund të përfshijmë ndoshta dhe kryetarët e bashkive apo njerëzit e sistemit të drejtësisë.

Unë personalisht nuk e mendoj kështu, megjithatë le ta bashkojmë me ndryshimet e tjera të Rregullores dhe ta shohim me gjerë këtë çështje. Mënyrën si e keni shkruar këtu propozimin nuk qëndron nga ana kushtetuese.

Nuk duhet të bëjmë një ndryshim i cili cenohet shumë kollaj nesër dhe në Gjykatën Kushtetuese. Nëse duam vërtetë një gjë që të adresojë çështjen e pastërtisë së figurës së deputetit, duhet ta bëjmë tamam, jo për populizëm”.