Ukraina nis hetim penal ndaj ministrit të Mbrojtjes, Perëndimi paralajmëron Kievin

Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit në Ukrainë ka hapur një hetim penal kundër ministrit të mbrojtjes, Rustem Umerov.

Organet ligjzbatuese do të hetojnë nëse zyrtari i lartë ka abuzuar me autoritetin e tij.

Nisja e hetimeve për Umerov, vjen një ditë pas shkarkimit të zëvendësministrit të Mbrojtjes pas akuzave për blerje të pamjaftueshme armësh.

Zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar Ukrainën se një përçarje mes ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të prokurimit të armëve mund të rrezikojë besimin në vend.

Përfaqësuesit e vendeve të G7 i bënë thirrje Kievit që të zgjidhë situatën “dhe të fokusohet në vazhdimin e prokurimeve në fushën e mbrojtjes”.

Umerov kërkoi largimin e zëvendësministrit të Mbrojtjes, Dmytro Klimenkov, dhe tha në një deklaratë se agjencia ishte “transformuar në mënyrë të pashpjegueshme në një ‘Amazon’” dhe blerjet e saj ishin shumë të dukshme publikisht.

Në përgjigje të pretendimeve, agjencia tha se ka bërë “përparim të rëndësishëm” në rritjen e ofertës dhe uljen e çmimeve.