Trump paralajmëroi takim me Putinin dhe dha një afat për përfundimin e luftës në Ukrainë

Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, deklaroi se planifikon të bisedojë me presidentin rus, Vladimir Putin, për përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Duke folur në një konferencë për shtyp në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida, Trump theksoi se një takim i tillë mund të zhvillohet pas inaugurimit të tij më 20 janar.

I pyetur nga gazetarët për kohën e një takimi të mundshëm, Trump u përmbajt nga caktimi i një date konkrete, por tha: “E di që Putin do të dëshironte të takoheshim.”

Trump gjithashtu shprehu shpresën se lufta do të përfundojë brenda gjashtë muajsh.
“Shpresoj shumë më herët se gjashtë muaj,” shtoi ai.

Gjatë fushatës së tij, Trump shpesh lavdëroi marrëdhëniet e tij me Putinin dhe pretendoi se mund ta përfundonte luftën në Ukrainë “brenda 24 orëve,” por nuk dha kurrë detaje për këtë pohim.

Ukraina, tashmë prej gati tre vitesh, po i reziston një pushtimi të plotë nga Rusia me ndihmën e Perëndimit.

Kievi ka frikë se, pas marrjes së detyrës nga Trump më 20 janar, ndihma nga SHBA mund të pësojë një ulje të papritur. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë fjalimit të tij për Vitin e Ri, i bëri thirrje Uashingtonit që të mos e ulë ndihmën për Ukrainën.