Trump krijoi kriptovalutën e tij: Shifra marramendëse në pak orë, rritet dhe Bitcoin

Tregu i kriptomonedhave ka përjetuar një zhvillim të papritur, pasi kriptomonedha e sapolançuar e Donald Trump, $TRUMP, ka arritur një vlerë tregu prej 9.2 miliardë dollarësh, vetëm disa ditë pas prezantimit të saj.

E prezantuar të premten nga Presidenti i zgjedhur i SHBA, kripto monedha u rrit me 73% të hënën, duke u tregtuar në 46.06 dollarë, sipas CoinMarketCap. Vëllimi i saj 24-orësh i tregtimit arriti në 42.2 miliardë dollarë, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Kriptomonedha përmban një dizajn nga tentativa për vrasjen e Trump në korrik, një detaj që ka shkaktuar debate mbi etikën e lançimit.

Analisti i pavarur i kriptove Justin D’Anethan, me bazë në Hong Kong, e përshkroi këtë zhvillim si një moment vendimtar për industrinë.

“Lançimi i një kriptovalute nga një figurë me ndikim të tillë politik hap një kuti Pandore pyetjesh etike. A duhet që figura publike me pushtet politik të ndikojnë në tregjet spekulative? Kjo është një çështje që rregullatorët nuk mund ta injorojnë”, tha ai.

Trump ka premtuar se gjatë mandatit të tij si president, do të ndërmarrë hapa për të lehtësuar rregullat mbi asetet dixhitale dhe për të promovuar përdorimin e tyre të gjerë. Perspektiva e rregullave më të lehta ka rritur optimizmin në treg, me bitcoin që ka regjistruar një rritje prej mbi 10% këtë muaj.

Bitcoin u ngjit në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej rreth 110,000 dollarë.