Traumat në fëmijëri, specialistja: Përvojat negative sjellin sëmundje kronike

Fëmijët mund të bien pre e përvojave negative gjatë fëmijërisë, të cilat shkaktojnë trauma. Ekspertët e ISHP rendisin një sërë faktorësh, nisur nga bullizimi, dhuna në familje, abuzimi apo të tjera situata që shpesh edhe nuk merren në konsideratë nga shoqëria, por që në fakt lënë gjurmë.

“Përvojat negative të fëmijërisë që janë eksperienca traumatike ndodhin në moshën 17-vjeç dhe ka të bëjë me ato eksperienca siç mund të jenë neglizhimi nga prindërit, qoftë kujdesi fizik apo psikoemocional, apo kur një prind është me problem të shëndeti mendor ose me varësinë ndaj substancave, burgimi i njërit prind apo divorcet, dhe emigrimi kur nuk prindi nuk është prezent në zhvillimin e fëmijës”, tha Andia Meksi, specialiste e ISHP.

Edhe më alarmant është fakti se traumat në fëmijëri, ndikojnë jo vetëm në shëndetin mendor por edhe në shfaqjen e sëmundjeve kronike gjatë jetës si adultë.

“Ndikim ka qoftë në shëndetin mendor, por edhe ndikime të tjera siç mund të jetë hipertensioni, obeziteti, sëmundje kardiovaskulare, sjellje që lidhen me varësinë dhe sjellje impulsive, të gjitha këto ndikojnë në uljen e jetëgjatësisë”, shtoi specialistja.

Nisur nga këto kushte, ekspertët e ISHP kërkojnë që identifikimi i traumave në fëmijëri të futet në protokollet mjekësore, dhe njëkohësisht kërkojnë identifikimin sa më të hershëm të tyre për të parandaluar edhe rritjen e sëmundshmërive.