Tragjedia në Cetinje, Mali i Zi shpall tri ditë zie

Qeveria e Malit të Zi ka shpallur tri ditë zie për shkak të tragjedisë në Cetinje, njoftoi kryeministri Milojko Spajiq. Ditët e zisë janë shpallur më 2, 3 dhe 4 janar, raporton Vijesti, transmeton Gazeta Express.

Qeveria e Malit të Zi u bën thirrje komunave të anulojnë koncertet dhe aktivitetet e planifikuara për sonte (1 janar).

Dita e zisë do të shënohet me ngritjen e flamurit në gjysmë shtizë në të gjitha ndërtesat e organeve shtetërore, të organeve të vetëqeverisjes lokale dhe të institucioneve publike, në përputhje me Ligjin për Simbolet Kombëtare dhe Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi. Në përputhje me vendimin, nuk do të mbahen programe publike, kulturore apo argëtuese në hapësirat publike, dhe në objektet e gastronomisë nuk do të transmetohet muzikë.

Mediat elektronike dhe të tjera janë të detyruara të përshtatin përmbajtjet e tyre programore me shënimin e ditëve të zisë.

“Kjo tragjedi e tmerrshme na ka prekur të gjithëve. Aktualisht, të gjitha ekipet e policisë, gjithçka që është e mundur, janë në Cetinje. Po kërkojmë autorin dhe jemi në një pistë të mirë,” tha Spajiq për RTCG.

Ai deklaroi se katër persona janë plagosur rëndë dhe mjekët po luftojnë për jetën e tyre.

“Të gjithë janë në tryezat e operacionit, kështu që shpresojmë që të mbijetojnë, kjo është më e rëndësishmja për momentin.”

Ai shtoi se pas kësaj tragjedie do të ashpërsohen masat për armëmbajtje në Mal të Zi.

“Do të ashpërsojmë kriteret për mbajtjen e armëve; nesër me gjasë do të kemi një takim të Këshillit për Siguri Kombëtare, ku do të shqyrtojmë të gjitha opsionet, madje edhe ndalimin e plotë të armëve. Kjo tragjedi duhet të na bëjë të reflektojmë se kush mund të posedojë armë në Mal të Zi. Edhe armët sportive e gjuetie i kuptojmë, por kriteret duhet të ashpërsohen maksimalisht dhe dënimet për ata që mbajnë armë ilegalisht apo i përdorin ato duhet të rriten. Kemi një mungesë kronike të policëve në të gjitha komunat, dhe kjo duhet të zgjidhet urgjentisht,” tha Spajiq.