Të paktën 12 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, pasi u shkelën nga turme, gjatë një feste fetare të besimit hindu në Indinë veriore. Dhjetëra miliona njerëz ishin grumbulluar për të marrë pjesë në një ritual që parashikonte larjen në lumë, në kuadër të festës 6 javore.
Tragjedia ka ndodhur mes orës 1 dhe 2 të mëngjesit, pranë arenës së asketëve, ku barrikada ishin vendosur për të menaxhuar turmat e mëdha gjatë zhytjes së shenjtë. Dëshmitarët treguan se kishte pasur shtytje masive pranë zonës ku bashkohen tre lumenj të shenjtë që kishte bërë që besimtarët të binin mbi njëri tjetrin. Një grua që ishte pjesë e turmës, rrëfeu se njerëzit shkelnin vazhdimisht mbi të dhe nënën e saj kur ato u rrëzuan.
Kryeministri Narendra Modi u përcolli ngushëllimet besimtarëve që humbën të afërmit në tragjedi, por pa specifikuar numrin e viktimave.