Tollovi në Aeroportin e Prishtinës, shkak anulimet e fluturimeve

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” është duke vazhduar tollovia e njerëzve edhe sot.

Kjo pasi dje janë anuluar një numër i madh i fluturimeve, si pasojë e mjegullës, e disa prej tyre kanë ateruar në aeroportin e Shkupit.

Për këtë çështje Liburn Aliu, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka dhënë sqarime lidhur me anulimin e disa fluturimeve ditën e djeshme si shkak i mjegullës.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se dje kanë ateruar aeroplanët e të cilëve pilotët kanë qenë të certifikuar për rënie në kushte të mjegullës.

“Aeroporti i Prishtinës është në shërbim gjatë tërë kohës, pasi ka të instaluar dhe funksional sistemin e avancuar të aterrimit ILS CAT IIIb, i cili mundëson aterrime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash”.

“Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë aterruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar. 46 ardhje-shkuarje janë realizuar me sukses, deri sa 12 janë anuluar ne ardhje”, ka thënë Aliu.