Sven-Goran Eriksson vdiq me miliona funte borxh, dokumentet suedeze tregojnë se familja e tij ka humbur gjithë pasurinë
Ish-trajneri i Anglisë, Sven-Goran Eriksson, raportohet se ka vdekur me miliona funte borxh, sipas dokumenteve zyrtare suedeze.
Trajneri legjendar i futbollit u nda nga jeta tragjikisht gushtin e kaluar pas një beteje me kancerin pankreatik.
Gjatë karrierës së tij 42-vjeçare, suedezi drejtoi klube si Manchester City dhe Roma, si dhe ekipin kombëtar të Anglisë.
Megjithatë, raportohet se Eriksson vdiq me borxhe që arrinin miliona funte, duke e detyruar familjen e tij të shiste shtëpinë e tij.
Sipas The Daily Express, pasuria e Eriksson-it u publikua të martën, dhe një seri dokumentesh suedeze tregojnë se ai vdiq me një borxh prej 8.6 milionë funte (88 milionë korona suedeze).
Eriksson raportohet të ketë pasur pasuri me vlerë 4.83 milionë funte (66 milionë korona), duke lënë një deficit prej 3.7 milionë funte (51 milionë korona).
Kontributori më i madh i këtij borxhi ishte taksa e papaguar në Mbretërinë e Bashkuar, që arrinte rreth 7.2 milionë funte (99 milionë korona).
Për të ndihmuar në shlyerjen e borxheve, vila luksoze ku Eriksson kaloi vitet e fundit të jetës së tij është listuar për shitje.
Pavarësisht suksesit të tij të madh gjatë karrierës, trajneri suedez humbi rreth 10 milionë funte pas mashtrimit nga këshilltari financiar Samir Khan, i cili kishte akces të pakufizuar në pasurinë e Eriksson-it.
Khan, të cilin Eriksson raportohet se e takoi në vitin 2004 në Dubai, u punësua në vitin 2007 për të ndihmuar në menaxhimin e financave të tij pasi ai pranoi ofertën për të drejtuar Manchester City.
Megjithatë, këshilltari financiar harxhoi 10 milionë funte në investime të dyshimta, përfshirë skema të pasurive të patundshme.
Duke shkruar në vitin 2013, Eriksson zbuloi:
“Nuk më interesonin detajet: nëse ai thoshte që një investim ishte i sigurt, i besoja atij. Nuk i lexoja as kontratat e gjata. Nganjëherë, më dërgonte vetëm një faqe për të firmosur.
E vërteta është se nuk më ka interesuar kurrë paraja. Asnjëherë. Mjafton të thuash se Samir e kuptoi këtë shumë shpejt.”
Në librin e tij të publikuar pak pas vdekjes së tij, Eriksson foli më tej për pasojat e mashtrimit të Khan-it, duke pranuar se në një moment kishte qenë pranë falimentimit personal.
“Nëse do ta kisha bërë këtë, do të kisha kursyer shumë para. Kam bërë disa gabime të mëdha në jetën time. Samir Khan ishte më i keqi,” tha Eriksson, sipas gazetës suedeze Aftonbladet, transmetoi The Daily Mail – përcjell GazetaExpress.
“Ai, që duhej të kujdesej për paratë e mia, më bëri të humb 100 milionë korona. Unë e padita dhe fitova në gjykatë, por nuk mora asnjëherë ndonjë para mbrapsht. Edhe pse fitova shumë para, ishte një periudhë shumë e vështirë për mua, isha pranë falimentimit personal”.