Strohmeyer: Nuk më kujtohet ta kem parë Thaçin duke i dhënë urdhra dikujt

Hansjeorg Strohmeyer gjatë dëshmisë së tij në Hagë, mohoi se e ka parë Hashim Thaçin duke dhënë urdhra gjatë kohës sa dëshmitari ishte me misionin e UNMIK-ut si këshilltar juridik në Kosovë më 1999.

Ai gjithashtu pohoi se është e vërtetë të thuhet që ai nuk e kishte parë ndonjëherë Thaçin duke i dhënë urdhra Agim Çekut ose ndonjë prej anëtarëve të UÇK-së apo dikujt tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Nuk më kujtohet. Nuk mund të them as po as jo. Nuk më kujtohet ndonjë rast konkret. Unë të paktën nuk e kam parë që t’i japë urdhra dikujt në praninë time, ndonjë komandanti apo ndonjë personi. Më janë bërë disa herë pyetje për këtë”, tha Strohmeyer.

Në një shënim përgatitor të lexuar nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, pretendohet se dëshmitari ka thënë se personat që kontaktonte UNMIK-u në atë kohë ishin Thaçi për aspekte politike, ndërsa Agim Çeku për ato ushtarake.

“Ky ishte perceptimi im. Mbaj mend që për aspekte politike duhej t’i drejtoheshim zotit Thaçi. Ndërsa, për marrëveshjen dhe për çështje që lidheshin me KPI-në mendonim që duhej t’i drejtoheshim zotit Çeku ose mendonim që ai ishte personi i kontaktit”, tha dëshmitari.

Strohmeyer gjithashtu theksoi se ata e kishin përshtypjen se ka ekzistuar hierarki në UÇK dhe se anëtarët e UNMIK-ut do të thonin se përgjegjës ishte Thaçi.

“Sipas nesh, ose mënyra se si e kishim kuptuar ne, ndonëse nuk e kishim shprehur- mendojmë se ka pasur një hierarki. Ka ekzistuar një hierarki. Për shembull nëse do të pyesni personat në UNMIK se kush janë personat përgjegjës në UÇK të gjithë do të thonin zoti Thaçi”, tha Strohmeyer.

Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.