SpaceX “humbet” raketën “më të madhe dhe më të fuqishme në botë” – disa minuta pas ngritjes nga Teksasi

Raketa gjigante Starship e SpaceX është “humbur” vetëm disa minuta pas fluturimit të saj të shtatë testues.

Raketa, që po vlerësohet si më e madhja dhe më e fuqishme në botë – u ngrit nga Boca Chica, Teksasi jugor, të enjten rreth orës 16:40 me orën lokale, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Vetëm pak minuta pas lëshimit të raketës, përforcuesi i saj bëri kthimin e planifikuar në tokë dhe pasi kaloi për një moment mbi platformën e lëshimit, ai “u kap në mënyrë spektakolare midis dy krahëve gjigantë mekanikë”.
Kjo është hera e dytë që SpaceX menaxhon këtë arritje të veçantë.

Megjithatë, ndërsa turmat brohoritën për kthimin e përforcuesit, kompania tha se kishte humbur kontaktin me Starship pasi motorët u fikën.

“Duket sikur kemi humbur kontaktin pak më pak se tetë minuta e gjysmë pas fluturimit”, citohet të kenë thënë nga kompania.

Fluturimi ishte testi i shtatë për Starship-in e sapopërmirësuar dhe shënoi hapin tjetër në përpjekjen e Elon Musk për të ndërtuar “anijen e parë kozmike plotësisht të ripërdorshme” për të çuar njerëzit në Mars.

“Çdo nisje e Starship është një hap më afër drejt Marsit”, ka shkruar ai në X, para nisjes së fundit.