Serbia dëboi një shtetase maqedonase pasi përbënte kërcënim për sigurinë, reagoi MPJ-ja e Maqedonisë
Në natën ndërmjet 21 dhe 22 janarit, Serbia dëboi 13 shtetas të huaj nga Kroacia, Sllovenia, Sllovakia, Maqedonia, Shqipëria, Moldavia, Rumania, Austria dhe Republika Çeke. Ata ishin pjesë e “Erste Academy” për organizatat joqeveritare, organizuar nga fondacioni “Erste”. Pjesëmarrësit u ndaluan gjatë natës nga hoteli ku po qëndronin në Beograd pa shpjegime dhe pas disa orësh ndalim u desh të largoheshin menjëherë nga Serbia. Njëkohësisht atyre iu ndalua edhe hyrja në vend për një vit, njoftojnë mediat nga rajoni, transmeton 360 Gradë.
Në mesin e të dëbuarve, siç informon MIA, është edhe shtetasja maqedonase Iskra Roso, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për përkrahje të personave me nevoja të veçanta SOLEM. Gjegjësisht, ajo është përcjellë nga hoteli ku po qëndronte në Beograd pa asnjë shpjegim.
Roso në një deklaratë me shkrim për MIA-në ka treguar se më 21 janar të këtij viti, gjatë pjesëmarrjes së saj në trajnimin për strategjitë për gjenerimin e të ardhurave për organizatat jofitimprurëse, i cili u mbajt nga 20 deri më 21 janar në Beograd, është përballur me një incident të papritur kur pasi u kthye në hotel ajo u ndalua nga policia pa një shpjegim të qartë. Roso thotë se më vonë mësoi se i ishte ndaluar hyrja në Serbi për 12 muaj sipas ligjit për të huajt.
“Pas kthimit në hotelin ku po qëndroja, jam ndaluar nga policia dhe bashkë me disa pjesëmarrës të tjerë më kanë transferuar në stacion policor pa një shpjegim të qartë. Më vonë mësova se më është ndaluar hyrja në Serbi për 12 muaj, në bazë të nenit 78 të Ligjit për të Huajt. Gjatë procesit nuk mora një shpjegim për mbajtjen, gjë që rriti edhe më shumë pasigurinë dhe ankthin për mua dhe pjesëmarrësit e tjerë. Edhe pse duhet të përmend se policia në Beograd është sjellë jashtëzakonisht në mënyrë profesionale. Tashmë kam dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Shkup për të marrë informacione për arsyet e dhënies së ndalimit të hyrjes, po ashtu jam duke përgatitur një proces për ankesë ndaj vendimit”, thekson Roso në një deklaratë për MIA-në.
MPJ: Do të kërkojmë përgjigje nga autoritetet serbe
Pas kësaj ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë, e cila ka shprehur shqetësimin për dëbimin nga Republika e Serbisë dhe ndalimin një vjeçar të hyrjes së Rosos, e cila kishte qëndrim të rregulluar në vend, dhe e cila, sipas autoriteti kompetent të Republikës së Serbisë, përbënte kërcënim për sigurinë.
Në këtë kuadër, thekson MPJ-ja, do të kërkohet sqarim lidhur me arsyetimin e masave të marra, “veçanërisht duke pasur parasysh pritshmërinë tonë se ato janë në përputhje me kuadrin ligjor të Republikës së Serbisë, por edhe me atë evropian dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”.
“Sinqerisht, presim që ky rast të zgjidhet në mënyrën e duhur, përmes dialogut dhe me praninë e vullnetit të mirë nga të dyja palët, si dhe në interes të ruajtjes së vazhdimësisë në ndërtimin e marrëdhënieve miqësore dhe fqinjësore mes dy vendeve“, tha MPJ.
KE: Serbia të respektojë të drejtat e organizatave të shoqërisë civile
Dje edhe Komisioni Evropian njoftoi dëbimin e aktivistëve të shoqërisë civile, të cilët kërkuan nga Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE, të respektojë të drejtat e organizatave të shoqërisë civile.
“Bashkimi Evropian mbështet organizatat e shoqërisë civile në të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, përfshirë edhe Serbinë, dhe thekson se respektimi i të drejtave të tyre është pjesë e obligimeve të negociatave për anëtarësim në BE. Shoqëria civile dhe media e pavarur luajnë një rol jetik në zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerimin, Partneritetet Ndërkombëtare dhe Mesdheun, Guillaume Mercier.
Sipas Mercier, përparimi i Serbisë në rrugën drejt BE-së varet nga pjesëmarrja aktive e të gjitha palëve të interesuara në atë proces dhe nga mbështetja e përpjekjeve të shoqërisë civile dhe organizatave mediatike për të ndërtuar një Serbi demokratike dhe gjithëpërfshirëse në interes të të gjithë qytetarëve.
Në Beograd dhe në Serbi këto ditë po zhvillohen protesta kundër presidentit aktual dhe qeverisë. Sot në Serbi ka nisur greva e përgjithshme apo mosbindje e përgjithshme civile, në të cilën qytetarët janë thirrur nga studentët dhe gjimnazistët.