Së paku 66 viktima nga zjarri në një hotel në Turqi, MPJ RMV: Nuk ka informacione për shtetas të Maqedonisë
Zjarri ka filluar këtë mëngjes në orën 03:30. Në hotel ka pasur 234 mysafirë. Së paku 66 persona kanë humbur jetë prej të cilëve dy kanë kërcyer nga dritarja. Sistemi për mbrojtjen nga zjarri në hotelin 12 prej katesh nuk është kyçur. Një pjesë e mysafirëve janë munduar që të largohen nga dhomat e tyre duke përdorur çarçafë dhe batanije.
Mbi 50 persona janë lënduar.
Hoteli “Grand Kartal” gjendet në pushimoren Kartalkajana në malin Koroglu, provinca Bolu, 300 km larg Stambollit. Këtë destinacion shpeshherë e vizitojnë qytetarë të Maqedonisë.
“Tani për tani nuk ka informacione për shtetas të lënduar nga Maqedonia. Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet kompetente”, thonë nga MPJ.
Zjarri shpërtheu në kohë të pushimit dimëror në shkolla, kur hotelet janë të stërmbushur me turistë.
Qeveria emëroi 6 prokurorë që do ta udhëheqin hetimin për shkaqet e zjarrit.
Hoteli me 161 dhoma gjendet në anën e shkëmbit që i vështirëson përpjekjet për luftë kundër flakëve.
Hotelet e tjera të pushimores u evakuuan si masë për kujdes ndërsa mysafirët u akomoduan afër Bolut.