Rokas: Ekonomia e gjelbër është një motor që nxit progresin dhe nxit zhvillimin e vendit

Gjatë vizitës së ambasadorit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, në Kumanovë, u diskutua për aktivitetet me të cilat Bashkimi Evropian nga aspekte të ndryshme mbështet përmirësimin e komunitetit lokal. Pjesë e agjendës së shefit të delegacionit të Bashkimit Evropian ishte takimi me kryetarin e komunës, Maksim Dimitrievski. Rokas diskutoi edhe me këshilltarët bashkiakë për një sërë çështjesh, si dhe mori pjesë në një diskutim me qytetarët në “Shtëpinë e Zejtarëve”.

Ambasadori vizitoi edhe “MIT Group”, kompani kumanovare, e cila me ndihmën e projektit “BE për rritje ekonomike” po kontribuon në zbatimin e parimit të ekonomisë rrethore në vend.

“Një element kyç i Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane është pikërisht kalimi në një ekonomi cirkuluese. Është vërtet e mrekullueshme të shohësh se kjo ide e rëndësishme, e sjellë në nivelin e Bashkimit Evropian në një mënyrë të caktuar, po zbatohet në nivel lokal, pikërisht këtu në Kumanovë. Kjo konfirmon se ka mundësi për mbështetje financiare, ndërkohë që vetë kompanitë duhet të ndërmarrin hapin dhe të prezantojnë metoda të reja pune që do të ulin presionin ndaj burimeve natyrore. Ekonomia e gjelbër është një motor që nxit progresin dhe nxit zhvillimin, jo vetëm në BE, por edhe në çdo vend që zbaton këto praktika”, tha Rokas.

Nëpërmjet projektit të lartpërmendur, të realizuar nga zyra e GIZ-it në vend, janë shpërblyer gjithsej 4.19 milionë euro. Mjetet janë pranuar nga 25 ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme në rajonin verilindor, Pollog dhe jugperëndimor, si dhe në komunën e Resnjës.