Rekord donacionesh për ceremoninë e presidentit Trump

Gjithnjë e më shumë kompani po i mbështesin festimet për ceremoninë e Presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump, me donacione në miliona.

Ceremonia e nisjes së detyrës të presidentëve të SHBA-së, e cila tradicionalisht zhvillohet më 20 janar, është një ngjarje e madhe mediatike që mbështetet gjithnjë e më shumë nga kompanitë private. Lista e donatorëve për ceremoninë e Donald Trump-it po bëhet gjithnjë e më e gjatë: Kompania ajrore Delta Air Lines, koncerni automobilistik Stellantis dhe dega amerikane e prodhuesit koreanojugor të makinave Hyundai dhuruan së fundimi nga një milion dollarë. Kjo shumë është bërë tani e zakonshme. Shumica e kompanive që mbështesin ceremoninë si Boeing, General Motors, Ford, Microsoft, Amazon, Alphabet dhe Meta kanë dhuruar gjithashtu nga një milionë dollarë. Para dhuruan edhe individë si drejtori ekzekutiv i Apple, Tim Cook, dhe ai i OpenAI, Sam Altman.

Frikë nga rregullat e reja

Përveç kompanive të mëdha të teknologjisë, të cilat duhet të kenë gjithmonë frikë nga rregulloret strikte, që mund t’u kufizojnë fuqinë e tyre në treg, në listën e donatorëve është veçanërisht e përfaqësuar industria e automobilëve. Hyundai tha se e përshëndet “mundësinë për të punuar me administratën e re për politikat që mbështesin prodhimin amerikan, mbrojnë zinxhirët e furnizimit dhe inkurajojnë inovacionin”. Ekspertët theksojnë se ndryshimet e mundshme në politikën tregtare, si dhe rregulloret për automjetet elektrike dhe emetimet e automjeteve që mund të ndërmarrë administrata e re e Trumpit mund të kenë një ndikim të rëndësishëm ndaj industrisë.

Rekord i ri i dhurimesh

Në përgjithësi për të ashtuquajturën ceremoni të “Inaugurimit” për presidentin Trump, e cila zhvillohet në Uashington, priten donacione rekord. Fjala është për më shumë se 170 milionë dollarë. Trump mban edhe rekordin e mëparshëm: për inaugurimin e tij të parë në vitin 2017, biznesmeni mblodhi 106.7 milionë dollarë.

Presidenti në largim, Joe Biden, mblodhi për ceremoninë e “ingaurimit” vitin në 2021 një shumë prej 61.8 milionë dollarë. Ndër fimrmat që dhuruan para për Bidenin ishin Pfizer, AT&T dhe Boeing. Kurse për ish-presidentin Barack Obama u dhuruan rreth 50 milionë dollarë në vitet 2009 dhe 2013. /DW