“Rasti Mijallkov” VLEN dhe BDI përplasen për ndikim në drejtësi!

Lirimi I ish drejtorit të DSK-së Sasho Mijallkov dhe gjyqësori në vend përplas BDI-në dhe VLEN-in. VLEN akuzon BDI-në për lirimin e Mijallkovit. Për Integristët VLEN-I po partizon gjyqësorin dhe këshillin e prokurorëve.

Gjyqësori dhe drejtësia ka përplasur përsëri pozitën dhe opozitën shqiptare. Sipas koalicionit VLEN, rasti i lirimit të parakohshëm të ish drejtorit të DSK-së Sasho Mijallkov, është dëshmia më e qartë e kapjes së sistemit të drejtësisë nga politika, në këtë rast nga siç thonë, BDI non grata

“Drejtori i burgut të Strugës, kuadër i BDI-së, Valon Qyra, ka bërë një raport skandaloz, ku flet me superlativa për sjelljen e Mijallkovit, citoj: “I njëjti është paraqitur si person i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm, me norma të pranueshme morale të sjelljes dhe tërësisht i është përmbajtur rregullave të shkruara ligjore. Në mjedisin ku ka qëndruar ka manifestuar sjellje shembullore, përshtatshmëri, marrëdhënie të mira me persona tjerë të dënuar, raport korrekt me personat zyrtar të kyçur në procesin e risocializimit. Kuadri i BDI-së, Valon Qyra me këtë raport praktikisht ka krijuar bazën e vendimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata e Apelit, duke u bazuar në raportin e drejtorit të burgut, ka vendosur lirimin e Mijallkovit shtatë muaj para përfundimit të dënimit” – tha Driton Sulejmani.

VLEN kërkon një hetim të plotë dhe të pavarur për rolin e drejtorit të burgut të Strugës Valon Qyra, gjykatësve dhe çdo zyrtari të përfshirë në rastin Mijallkov.

E duke ju kundërpërgjigjur VLEN-it, nga BDI-ja thonë se vendimet e fundit të gjykatave për lirimin e disa rasteve të rëndësishme gjyqësore të lidhura me pushtetin nuk janë të rastësishme.

Edhe BDI-ja e akuzon VLEN-in për partizim të gjyqësorit dhe këshillit të prokurorëve.

“Emërimi i Adrian Demirit, një aktivisti të njohur të VLEN-it, si anëtar i Këshillit Gjyqësor nuk është rastësi. Ky është vetëm një hap tjetër në instalimin e eksponentëve të kësaj strukture brenda institucioneve të pavarura, duke e kthyer drejtësinë në një mekanizëm politik që shërben interesat e një qeverie të ndërtuar mbi mashtrim dhe manipulim. Ashtu siç VLEN-i që u krijua për të shërbyer një agjende të caktuar politike, për të dobësuar shqiptarët dhe për të devijuar rrugën euroatlantike të vendit, tani po përdoret gjyqësori për të zhbërë vendimet e mëparshme dhe për të favorizuar individë të lidhur me pushtetin” – thonë nga BDI.

Nga BDI-ja thonë se nuk do të qëndrojnë indiferente ndaj këtij procesi të rrezikshëm. Integristët I bëjnë thirrje tbashkësisë ndërkombëtare, BE-së dhe partnerëve strategjikë të ndërhyjnë dhe të mbikëqyrin siç thonë këtë kapje të institucioneve.