Rama jep lajmin: Së shpejti në Korçë, qendra e parë turistike e skive në Shqipëri

Së shpejti në Korçë do të ndërtohet qendra e parë turistike e skive në Shqipëri. Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama në një postim me videomesazh në Facebook, sipas të cilit kjo do të ndikojë në ekonominë dhe paketën turistike të këtij qarku, sie dhe do ta fusë Korçën në hartën europiane të skive.

“Tani i ka ardhur radha qendrës së parë turistike të skive në Shqipëri, një projekt që do ta fusë Korçën në hartën europiane të turizmit të skive dhe do të ndezë një motor të ri me shumë kuaj fuqi në ekonomikë e këtij qarku ku lidhjet e rilidhura rrugore me Kolonjën dhe Përmetin kanë sjellë një vlerë të shtuar në paketën e bukur turistike të kësaj zone. Mirë e më mirë dhe më e mira është e gjitha përpara për Korçën dhe gjithë Shqipërinë”, shprehet Rama.

Sipas tij numri i turistëve dhe bujtinave gjatë kësaj dekade është rritur ndjeshëm krahasuar me dekadën e mëparshme.

“Korça bre Korça. Këtë dimër si asnjë dimër, 160 e kusur bujtina, njëra më e bukur se tjetra, plot e përplot çdo fundjavë. Rreth mbi gjysmë milionë e turistë që kalojnë një natë në Parisin e vogël gjatë vitit. Një dekadë më parë mezi kalonin 50 mijë në vit dhe nuk kishte këmbë të huaji, ndërkohë që bujtinat numëroheshin me gishta dhe mezi mbanin veten”, deklaroi kryeministri. (A2 Televizion)