Qytetarët e Strumicës udhëzohen të respektojnë masa të veçanta për mbrojtje nga ajri i ndotur

Qytetarët në më shumë qytete të vendit thithin ajër të ndotur. Alarmi për ndotjen enorme është ndezur në Strumicë ku tashmë për tre ditë me radhë është tejkaluar pragu i lejuar i grimcave të dëmshme. Për këtë, Ministria e Ekologjisë ka dhënë disa udhëzime për mbrojtjen e qytetarëve.

“Intensifikimi i inspektimeve të jashtëzakonshme në instalimet me A-Leje Ekologjike të Integruar. Intensifikimi i kontrollit të jashtëzakonshëm të funksionimit teknik të makinave, sidomos atyre me naftë dhe makinave të pa regjistruara. Ndalohet djegia në natyrë. Rekomandohet që të gjithë subjektet juridike (punëdhënësit) të riorganizojnë orarin e punës dhe personat që punojnë në natyrë të punojnë nga ora 11:00 deri në 17:00. Rekomandohet të mos organizohen gara sportive dhe aktivitete kulturore në natyrë”, thonë nga Ministria e Ekologjisë.

Ajri është i ndotur edhe në Tetovë kurse Shkupi assesi të bie nga krye lista botërore për ndotjen e ajrit. Sot ai radhitet i shtati në botë ndërsa i pari ne Evropë me indeks të ndotjes së ajrit prej 164. Matjet tregojnë se grimcat PM2.5 janë me 85 mikrogramë për metër kub, që është 17 herë më shumë se kufiri i lejuar nga OBSH.
Qytetarët ankohen se ndotja e ajrit është problematikë e theksuar për vite me radhë dhe institucionet kompetente vetëm flasin e nuk bëjnë asgjë konkrete.

“Më besoni se ajri është shumë i ndotur. Dhe nuk shohë ndonjë zgjidhje, vetëm flasin nëpër tribuna, në seminare dhe çdo vit përsëritet e njëjta gjë. Për 20 vite gjithmonë flitet por nuk është ndërmarrë asgjë, të gjithë fajësojnë se ngrohja është njëra prej arsyeve, por unë jam në Shkup 50 vite dhe më herët secila shtëpi është ngrohur me dru dhe qymyr dhe nuk ka qenë kaq shumë i ndotur ajri”, tha një qytetar.

“Çfarë të themi. Më pengon si jo, nuk mbaj kot maskë”, shtoi një tjetër qytetar.

Autoritetet e vendit shpesh herë premtojnë për zgjidhjen e ndotjes së ajrit, por deri më tani të gjitha masat e marra, nuk kanë dhënë rezultate afatgjate.