Serbia ofrohet të organizojë takimin e mundshëm mes presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump dhe shefit të Kremlinit, Vladimir Putin. Ishte presidenti Aleksandër Vuçiç që e tha diçka të tillë. Ai e vuri theksin tek fakti se Serbia është vendi ku mbështetja për Trump është maksimale, e po ashtu popullariteti i presidentit rus, vijon te jetë shumë i lartë.
Sipas tij, Beogradi është i gatshëm të organizojë takimin dhe të garantojë sigurinë e nevojshme për të dy udhëheqësit.
“Serbia është vendi ku presidenti Trump gëzon mbështetjen më të madhe se kudo tjetër në Europë. Nuk ka vend qe të mund të krahasohet me Serbinë në aspektin e nivelit të mbështetjes për presidentin Trump. Dhe nga ana tjetër, Serbia është një vend ku presidenti Putin është ende shumë, shumë popullor. Kështu mendoj se ky është një vend në glob që do të ishte ekstremisht i përshtatshëm për të dy ata”, tha Vuçiç.
Trump njoftoi më 9 janar planet për një takim me presidentin Putin edhe pse nuk ofroi detaje konkrete lodhur me këtë. Sipas Vuçiç, Serbia do të ishte e përshtatshme për të qenë mikpritësja e përballjes mes dy liderëve edhe për faktin se është vend neutral, dhe nuk i përket asnjë aleance ushtarake të tillë si NATO. Beogradi ka marrëdhënie shumë të afërta me Rusinë dhe ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës, pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Në të njëjtën kohë, Vuçiç e ka cilësuar Ukrainën shtet mik, dhe ka pohuar në të kaluarën se Krimea dhe Donbasi janë territore sovrane të Ukrainës. Po ashtu Zvicra është ofruar ti hapë dyert takimit mes Trump dhe Putin. E teksa korniza e takimit pritet ende të përcaktohet, këshilltari i ardhshëm i sigurisë kombëtare në SHBA, Mike Waltz, tha se të dielën se një telefonatë mes Putin dhe Trump pritet të zhvillohet gjatë ditëve në vazhdim. Kremlini ka thënë se një përballje kokë më kokë mes dy liderëve do të duhet të presë deri pas inaugurimit të Trump më 20 janar. (A2 Televizion)