Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari
Presidenti amerikan Donald Trump pas betimit të tij si president i ri i vjetër, më 20 janar mes tjerash, nënshkroi edhe një urdhër ekzekutiv duke u përpjekur që t’i japë fund të drejtës kushtetuese për fitimin e shtetësisë për fëmijët e lindur në territorin e SHBA-së pavarësisht prejardhjes së prindërve të fëmijëve, një parim ky i njohur si ius soli (e drejta e tokës), gjë që për brezat e ardhshëm domethënë një reformë juridike dhe politike që në veçanti i godet njerëzit me ngjyrë në SHBA dhe sipas këtij urdhëri, çdo fëmijë i lindur pas datës 19 shkurt, nënat ose baballarët e të cilëve nuk janë shtetas ose rezidentë të ligjshëm të përhershëm, do t’i nënshtrohen dëbimit dhe do të pengohen nga marrja e numrave të sigurimeve shoqërore dhe përfitimeve të ndryshme nga shteti amerikan, kështu që mbi 150.000 fëmijëve të porsalindur do t’u mohohet shtetësia çdo vit nëse ky urdhër i Trump do të mbetet në fuqi për t’u zbatuar.
Por, ky urdhër i Trump, menjëherë u përball me sfida gjyqësore nga sektori civil në SHBA, por edhe me pesë padi nga 22 shtete që udhëhiqen nga Demokratët me çrast më 23 janar, gjyqtari federal i qarkut të Washingtonit 84 vjeçari John Coughenour (i emëruar në v. 1981 nga Presidenti republikan Regan) është gjyqtari i parë i cili përkohësisht (në 14-të ditët e ardhshme) e bllokoi këtë urdhër të presidentit amerikan duke deklaruar se, gjatë përvojës së tij mbi 40-të vjeçare si gjyqtar, nuk mban mend ndonjë rast ku çështja e paraqitur të jetë aq e qartë sa kjo, dhe e cilësoi këtë urdhër si flagrant antikushtetues, duke caktuar seancë dëgjimore më 6 shkurt për të vendosur nëse do ta bllokonte këtë urdhër për një kohë më të gjatë.
Mirëpo, çfarë nënkupton parimi ius soli në të drejtën kushtetuese amerikane? Ky parim rrjedh nga e drejta angleze e cila shekuj më parë, parashihte që njerëzit e lindur në Angli janë subjekte të natyrshme. Mirëpo, në SHBA ky parim modern i shtetësisë amerikane është i sanksionuar me klauzolën kushtetuese të Amendamentit të 14-të për Kushtetutën e SHBA-së i ratifikuar në v. 1868, ku përcaktohet se, të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që i nënshtrohen juridiksionit të tyre, janë shtetas të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku ata banojnë; gjë që rrëzoi vendimin famëkeq të Gjykatës Supreme të SHBA-së të vitit 1857 në rastin Dred Scott, ku thuhej se, mbrojtja kushtetuese nuk zbatohej për zezakët e skllavëruar në SHBA të cilët nuk mund të ishin shtetas të SHBA-së dhe ky amendament kushtetues kishte për qëllim korrigjimin e padrejtësisë ndaj zezakëve të skllavëruar në SHBA dhe privimin e tyre nga shtetësia amerikane.
Në këtë drejtim është edhe precedenti i fuqishëm gjyqësor i Gjykatës Supreme të SHBA-së i v. 1898 ky gjyqtarët suprem amerikan vendosën në favor të të riut Wong Kim Ark i lindur në San Francisko nga prindër emigrantë, i cili shkoi në Kinë për të vizituar familjen e tij por, kur u përpoq që të kthehej në shtëpi në SHBA, nuk u lejua të hynte në SHBA bazuar në pretendimin se ai nuk ishte shtetas amerikan, mirëpo Gjykata Supreme këtë rast e pa ndryshe dhe vendosi se Kim Ark është shtetas amerikan edhe pse prindërit e tij ishin emigrantë kinezë.
Megjithatë, a do të arrijë presidenti Trump që t’i japë fund fitimit të shtetësisë amerikane sipas parimit ius soli?
Pjesa dërmuese e ekspertëve kushtetues amerikanë theksojnë se, në aspektin juridik, nuk do të arrihet një gjë e tillë, sepse as aktet presidenciale e as ndryshimet eventuale në legjislacion nuk mund të zëvendësojnë klauzolën e shtetësisë amerikane dhe garancën kushtetuese amerikane të fitimit të shtetësisë amerikane për të gjithë personat që lindin në tokën amerikane, edhe nëse Shtëpia e Bardhë në ndonjë mënyrë arrin që të kërkojë rishikimin dhe ri-interpretimin e precedentit të Gjykatës Supreme të vendosur në rastin Wong Kim Ark në v.1898, një gjë e tillë, sipas tyre mbetet e pamundur, mirëpo, në aspektin politik, administrata Trump ka mundësi që të kufizojë vizat afatshkurtra për femrat udhëtare shtatzëna, në mënyrë që ato të mos mund të lindnin fëmijë në SHBA.
Mirëpo, një gjë është e sigurtë, mësimdhënia e së drejtës kushtetuese në SHBA për profesorët amerikanë nuk do të jetë e njëjtë gjatë presidencës së Donald Trump sidomos për faktin se, gjatë mandatit të parë, e drejtoi presidencën e tij duke i shpërfillur shpesh kufijtë kushtetues të pushtetit presidencial duke paralajmëruar të njëjtën gjë edhe gjatë mandatit të dytë presidencial sipas proverbës amerikane: morning shows the day-mëngjesi e tregon ditën.
Autori është Profesor ordinar
i së drejtës kushtetuese dhe administrative
në Fakultetin Juridik të UEJL-it