Politikanët në Maqedoni gjithnjë e më shumë janë të pranishëm në TikTok, i cili po bëhet një mjet i fuqishëm për fushatat politike. Kjo platformë “shkaktoi” një kthesë të papritur në zgjedhjet presidenciale në Rumani. Analizat dhe hulumtimet tregojnë se TikTok-u përdoret për ta përhapur ndikimin rus dhe rregullatorët evropianë kanë nisur hetime, raporton Radio Evropa e Lirë, përcjell Portalb.mk.
Politikanët në mbarë botën që një kohë e kritikonin platformën sociale TikTok tani po i bashkohen në një përpjekje për të arritur deri tek përdoruesit e rinj. Këtij trendi botëror iu bashkuan edhe politikanët në Maqedoni. Pas zgjedhjeve që u mbajtën vitin e kaluar në muajin maj, në këtë platformë politikanët vazhdojnë të ndajnë çdo ditë video të shkurtra me mesazhe politike nga takimet me qytetarët, nga eventet, e në të cilat flasin për “punën e kryer”.
TikTok-u, që u lansua globalisht në vitin 2017, tani është një nga ueb-platformat më të njohura në internet, ndërsa në vitin 2021ia kaloi edhe Google-it me miliona ndjekës të cilët i tërheqin videot e shkurtra me algoritme që mundësojnë personalizimin e përmbajtjeve për çdo përdorues.
Politikanët, të cilët i shohim çdo ditë në televizion, portale online dhe gazeta, në rrjetet sociale si Facebook, Instagram dhe Twitter, tani po çajnë rrugën edhe në TikTok.
Kryeministri Hristijan Mickoski në një nga videot e fundit përcjell se si i shpërndan pakot me dhurata për Vitin e Ri, se si i mirëpret delegacionet e huaja në Qeveri, por edhe një pjesë të udhëtimeve të tij në Bruksel dhe takimeve me kolegët në Samitin kushtuar Ballkanit Perëndimor.
Ndryshe nga videot e tij të thjeshta ku dominojnë mesazhe të shkurtra politike të përcjella nga foltorja në Kuvend apo në ndonjë konferencë për shtyp, ministri i punëve të jashtme, Timço Mucunski, të rinjve u qaset në një mënyrë tjetër.
Ministri tridhjetë e pesë vjeçar u shfaqet të rinjve duke ecur rrugëve të Brukselit, ndërkohë që në sfond mund të dëgjohen mesazhet e tij të shoqëruara me tone dramatike muzikore.
“Vitin e ardhshëm kombi im do të shënojë 25 vjet që kur u bë kandidat për anëtarësim në BE. 25 vite të kaluara me reforma dhe sakrifica. Zgjerimi nuk është vetëm një domosdoshmëri strategjike, por edhe një detyrim moral. Kjo do të thotë përmbushje e premtimit evropian”, thotë Mucunski në mesazhin e tij pas fjalimit të mbajtur në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Lideri i opozitës, Venko Filipçe, në profilin e tij në TikTok shpalos një sërë kritikash politike për Qeverinë, pak humanizëm. Videon e fundit të cilën e ka publikuar është nga vizita e tij në “SOS Detsko Sello (SOS Fshati i Fëmijëve)” tek jetimët, të cilëve ai u shpërndan dhurata. Videot e tij në të cilat ai u përgjigjet pyetjeve “Pse sërish në politikë, në vend se në sallën e operacionit” teksa i jep makinës, apo me një birrë në dorë përballë një kooperative duke biseduar me qytetarët, arrijnë nga 80 deri në njëqind mijë shikime, për dallim nga videot në të cilat ai dërgon kritika të shkurtra për pushtetin nga foltorja në Kuvend.
Profil në TikTok kanë hapur edhe ministri i shëndetësisë nga koalicioni “VLEN”, Arben Taravari dhe kolegu i tij, zëvendëskryeministri dhe ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Izet Mexhiti. Profilet e tyre i ndjekin disa mijëra përdorues.
Me videot e tyre ata u drejtohen shqiptarëve etnikë në Maqedoninë e Veriut, kryesisht me mesazhe për festat kombëtare dhe këngë patriotike.
Disa nga video mesazhet politike arrijnë deri në dhjetë mijë shikime në platformën TikTok, e cila, sipas statistikave të ekspertëve të IT-së, ka rreth njëqind mijë përdorues nga Maqedonia e Veriut.
Më të shikuarat janë videot në të cilat ata shihen duke biseduar drejtpërdrejt me qytetarët në treg apo në ndonjë sallë sporti, ku paraqesin një imazh të pazakontë për veten, jashtë atij me kostum nga foltorja në Kuvend apo në konferenca për shtyp. Toni miqësor dhe jozyrtar i TikTok-ut u mundëson politikanëve të jenë më afër me votuesit e rinj dhe të ndërtojnë një marrëdhënie më të ngushtë me ta.
Edhe TikTok-un e presin standarde të reja
Kjo platformë kineze për video të shkurtra është një nga aplikacionet me rritje më të shpejtë dhe më të shkarkuar, e cila bëhet një burim informacioni për përdoruesit e rinj nën moshën 25 vjet.
Kjo platformë nuk është më e popullarizuara tek politikanët në Maqedoni, edhe pse mund të jetë mjet i fuqishëm për fushata politike, sidomos nëse përdoret për luftë kundër dezinformatave, thotë komunikologu Bojan Kordallov.
“Kjo është pjesë e rritjes ndërkombëtare, nuk po ndodh vetëm në Maqedoni, por edhe në vendet evropiane, madje edhe në SHBA. Se sa do të përdoret TikTok-u si mjet në të ardhmen do të varet nga mënyra se si do të vendosin rregullatorët evropianë dhe amerikanë nëse TikTok-u i plotëson apo nuk i plotëson standardet. Përkujtojmë se edhe Google, edhe Meta, edhe X për vite me radhe, madje edhe një dekadë më parë ishin nën kontrollin e këtyre rregullatorëve derisa nuk i plotësuan standardet për mbrojtjen e qytetarëve dhe të dhënave, ju kujtohet se në komisionet për ta kishte skandale dhe hetime të ndryshme “, thotë Kordallov.
Por ТikТоk-u është nën një kontroll të shtuar nga rregullatorët perëndimorë për shkak të frikës se të dhënat e përdoruesve të aplikacionit në pronësi të kompanisë me bazë në Pekin (ByteDance) mund të përfundojnë në duart e qeverisë kineze.
“Analiza dhe hulumtime serioze tregojnë se përmes këtij rrjeti po përhapet ndikimi i huaj dhe masa dhe aktivitete të tilla nuk ndërmerren rastësisht. Për këtë ka indikacione dhe dëshmi të caktuara, prandaj nuk është rastësi që në disa vende evropiane, madje edhe amerikane, përdorimi i aplikacionit TikTok në pajisjet elektronike zyrtare është i ndaluar”, shton Kordallov.
“Skibidi“ fjalimi në Senatin australian kishte me miliona shikime
TikTok-u u mundëson politikanëve t’i anashkalojnë formalitetet e komunikimit tradicional politik dhe t’i përcjellin mesazhet e tyre në një mënyrë relative.
Këtë e tregoi dhe e dëshmoi lideri i opozitës australiane Peter Dutton, i cili përmes “sfidave” arriti t’i bashkohet TikTok-ut dhe kështu bëri një ndryshim të madh në qasjen e tij ndaj fushatës politike.
Ai paraprakisht e kritikoi platformën për arsye sigurie, por tani e pranon atë dhe madje merr pjesë në “sfida të sigurta” për ta tërhequr në mënyrë autentike audiencën.
Një shembull për këtë është fjalimi viral “skibidi” i Senatores Fatima Payman, i cili tregoi se sa efektiv mund të jetë TikTok-u si një mjet politik në përcjelljen e një mesazhi politik.
Termi “Skibidi” u bë viral në vitin 2023 pasi një YouTuber filloi të postojë video të dedikuara për të ashtuquajturën “Gjeneratë Alfa” që u referohet të rinjve të lindur pas vitit 2010.
Payman e mbajti fjalimin e saj në Senatin Australian duke përdorur vetëm zhargon TikTok-u. Ajo u bë e famshme tek një demografi më e re dhe tani ka më shumë se tetë milionë shikime. Si rezultat profili i saj tani ka më shumë se 160.000 ndjekës dhe vazhdon të ketë një numër të konsiderueshëm të shikimeve në të gjitha postimet. Ajo është me origjinë nga Afganistani dhe u bë senatore australiane në vitin 2022 si pjesë e Partisë Laburiste. Së fundmi u tërhoq nga partia dhe vazhdoi mandatin e saj si e pavarur, pas çka në tetor të vitit 2024 e themeloi edhe partinë e saj “Australian Voice (Zëri Australian)”.
Ndikimi rus përmes Tik-Tok-ut
Skandali i fundit që trazoi publikun evropian dhe i nxiti rregullatorët në Bashkimin Evropian ta hetonin më seriozisht parimin e punës së kësaj platforme sociale kineze ishin zgjedhjet presidenciale në Rumani.
Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për një hetim të plotë të lëvizjeve të Moskës për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Rumani.
Kjo erdhi për shkak se dokumente të deklasifikuara më 4 dhjetor treguan se vendi ishte objektiv i një “aksioni hibrid agresiv rus” gjatë fushatës zgjedhore të nëntorit, duke përfshirë edhe fitoren e papritur të një kandidati të ekstremit të djathtë pro-rus në raundin e parë të zgjedhjeve në Rumani.
Calin Georgescu, një politikan jo shumë i njohur i ekstremit të djathtë në Rumani, përdori TikTok-un për t’i përhapur mesazhet e tij anti-evropiane dhe anti-NATO dhe për të fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani.
Pa asnjë mbështetje partiake fushata e Georgescu-t kryesisht është mbështetur shumë në platformën e mediave sociale TikTok në të cilën profili i tij ka 1,6 milionë pëlqime dhe ku ai postonte videot e tij duke shkuar në kishë, duke bërë xhudo, duke hipur në kalë ose pistë vrapimi dhe duke folur në podkaste.
Sipas dokumenteve të deklasifikuara rreth 25.000 profile të TikTok, që dyshohet se janë përdorur për ta rritur popullaritetin e Georgescu-t “u bënë shumë aktive dy javë përpara datës së zgjedhjeve.”
Një metodë tjetër që përdorej për ta promovuar kandidatin e pavarur përfshinte krijimin e profileve që në mënyrë të rrejshme i prezantonin institucionet e shtetit rumun. U zbuluan me dhjetëra profile që në mënyrë të rreme përdornin logon e shërbimit të inteligjencës dhe titullin Brigada Anti-Terrorizëm (BAT), secili me mijëra ndjekës dhe mbi 100.000 pëlqime.
Komisioni Evropian më 16 dhjetor hapi procedurë zyrtare kundër TikTok-ut për dyshime për shkelje të Ligjit për Shërbime Digjitale (DSA) në lidhje me detyrimin për vlerësim dhe zbutje të rreziqeve sistematike lidhur me integritetin zgjedhor, sidomos në kontekstin e zgjedhjeve të fundit presidenciale rumune më 24 nëntor. Kjo situatë çoi në anulimin e zgjedhjeve presidenciale.
“Ne duhet t’i mbrojmë demokracitë tona nga çdo lloj ndërhyrje e huaj. Duhet të jetë e qartë se në BE të gjitha platformat online, përfshirë edhe TikTok-u, duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Komisionerja Evropiane për Punët e Jashtme Ursula von der Leyen më 16 dhjetor.
Rusia mohon çdo ndërhyrje në zgjedhjet rumune.
Edhe SHBA kishin frikë për zgjedhjet presidenciale
Një muaj më parë TikTok-u ndaloi dhjetëra profile të lidhura me mediat shtetërore ruse, duke përfshirë Russia Today dhe TV Novosti, duke u thirrur në shqetësimet e sigurisë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA në muajin nëntor.
Kjo pasoi pas vendimit të gjigantit të teknologjisë Meta, nën të cilin janë rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, për të lëshuar një ndalim të ngjashëm, duke pretenduar se mediat e mbështetura nga Kremlini ishin përfshirë në operacione me ndikim mashtrues.
Në një kumtesë të lëshuar në muajin nëntor TikTok përmendi operacionet e ndikimit si arsye për mbylljen e profileve.
Studiuesit amerikanë kanë zbuluar se Rusia ka përdorur TikTok-un gjithnjë e më shumë në periudhën para zgjedhjeve në SHBA për të përhapur mesazhe nga Kremlini në anglisht dhe spanjisht, me profile të lidhura me Rusinë që postonin shumë më shpesh në platformë sesa dy vjet më parë.
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se është në favor të vazhdimit të funksionimit të TikTok-ut në vend të paktën për një kohë, duke pretenduar se ka marrë miliarda shikime në platformën e mediave sociale gjatë fushatës presidenciale. Gjatë fushatës zgjedhore profil të sajin në këtë rrjet kishte edhe kundërshtarja e Trump-it, demokratja Kamala Harris.
Ata vazhduan ta përdorin TikTok-un pavarësisht ndalimeve të propozuara në Shtetet e Bashkuara. Këto ndalime aktualisht po kundërshtohen në gjykatë, por duhet të fillojnë të zbatohen në janar të vitit 2025.
Edhe pse shumica shikojnë TikTok-un për argëtim, shumë njerëz, veçanërisht brezi i ri, nga atje marrin edhe informacion. Sipas Qendrës Huulumtuese Pew në Shtetet e Bashkuara rreth gjysma e përdoruesve të TikTok-ut nën moshën 30 vjet thonë se e përdorin atë për ta ndjekur politikën dhe lajmet.
Maqedonia e Veriut, si një nga vendet e rajonit që synon integrimin evropian, shpesh është objekt analize kur bëhet fjalë për ndikimin rus.
Vëllimi, frekuenca dhe intensiteti i narrativave të identifikuara tregojnë se Maqedonia e Veriut dhe Ballkani janë në krye të agjendës së Kremlinit, tregon kështu studimi më i fundit i Iniciativës civile “Most”, e cila e analizon propagandën ruse, ndikimin dhe narrativat dezinformative lidhur me luftën në Ukrainë, e që janë të pranishme në hapësirën online në Maqedoninë e Veriut.
Mediat ruse dhe botet e mediave sociale shpesh përhapin lajme dhe narrativa të rreme që synojnë minimin e besueshmërisë në institucione, rritjen e përçarjes në shoqëri dhe largimin e vëmendjes nga problemet reale.