Politikanët lypsarë, të pasur dhe milionerë!

Florim Zeqa

Politikanët në fushatë zgjedhore u gjasojnë lypsarëve të rrugëve, të cilët i përulen çdo qytetari për lëmoshë! Dallimi mes lypsarit të rrugës dhe politikanit lypsar është tek mënyra e falenderimit. Përderisa lypsari i rrugës të falenderon nga thellësia e shpirtit me fjalët “Zoti të dhashtë”, politikani lypasrë në vend të falenderimit për voten e dhënë, të harron dhe injoron deri në zgjedhjet e radhës!

Lypsarët do të kthehen në milionerë, votuesit do të ikin në emigrim

Sikurse në të kaluarën, edhe pas këtyre zgjedhjeve pushtetarët do t’i harrojnë votuesit, bashkë me ta edhe zotimet dhe premtimet e dhëna elektorale!

Sikurse nga zgjedhjet e kaluara, edhe nga këto zgjedhje do ta kemi një fitues dhe disa humbës, por, për dallim nga zgjedhjet paraprake nuk do të kemi fitues apsolut por humbës apsolut që do të mbesin jashtë dyerve të Parlamentit!

Koalicioni paszgjedhor do të jetë befasi e (pa)këndshme dhe e paparë deri më tani në skenën politike kosovare!

Sikurse nga zgjedhjet paraprake, edhe pas këtyre zgjedhjeve do të ikin nga kjo botë edhe shumë njerëz pa i shijuar “mrekullitë” e premtuara zgjedhore, por do të vjen edhe një gjeneratë e re e cila do të mashtrohet përseri nga premtimet joshëse të politikanëve të dashur në fushatë zgjedhore, të cilët, nuk e kanë fare problem që e marrin rolin e lypsarit mashtrues, pas të cilit qëndron një milionerë që e qet në rrugë!

Politikanët lypsarë, e urtë dhe të dashur në fushatë zgjedhore, pas marrjes së pushtetit do të kthehen në kapriçioz që këmba e tyre për katër vite nuk do të shkelë në zonat rurale (fshatra) e lagje periferike të qyteteve tona!

Me të përvëtësuar pushtetin do t’i harrojnë votuesit dhe qytetarët anë e kënd Kosovës! Deputetët e rinjë e të vjetër bashkë, për katër vjet do të thirren në emër të popullit pa e bërë asnjë të mirë për qytetarët e vendit.

Parlamenti përseri do të shndërrohet në cirk dhe “koleseum” njëkohësisht ku do të përplasen para qytetarëve të vendit pozita dhe opozita deri në fundin e mandatit politik.

Përseri në Parlament do të dëgjojmë sharje dhe fyerje, do të shikojmë kacafytje dhe shkulje mikrofonash për të “mirën” e qytetarëve dhe të “ardhmen” e shtetit, praktika këto të përseritura nga njëra legjislaturë tek tjetra!

Lypsarët e sotëm të votës së qytetarëve nuk do të zbresin më në popull për t’u ballafaquar me hallet dhe problemet e shumta të përditshmërisë që prodhon koha, por do t’i adresohen popullit përmes rrjeteve sociale.

Cili do të jetë epilogu i këtyre zgjedhjeve?!

Lypsarët e sotëm shumë shpejtë, me voten tuaj do të bëhen të pasur dhe milionerë në Parlament dhe Qeveri, kurse votuesit do të ikin në emigrim në kërkim të një jete më të mirë. Mos harroni, pas katër vitesh, kudo që ndodheni lypsarët do t’iu gjejnë përseri!