“Po humbet tregjet e saj”: Ndërpriten eksportet e gazit rus në Evropë përmes Ukrainës

Eksportet e gazit natyror rus përmes gazsjellësve të kohës sovjetike që kalojnë përmes Ukrainës në Evropë janë ndalur në orët e para të Vitit të Ri.

Kjo si rezultat i skadimit të marrëveshjes, dhe Moska me Kievi nuk arritën të bien dakord për vazhdimin e furnizimeve.

Ky ndalim shënon fundin e një rruge të vjetër gazsjellësi që ka lidhur Rusinë me Evropën për më shumë se një dekadë dhe që ka qenë një simbol i marrëdhënieve të tensionuara mes dy vendeve, të cilat u përkeqësuan pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Ukraina ka ndaluar blerjen e gazit rus që nga viti pasues.

Ministri i Energjisë i Ukrainës, German Galushchenko, e cilësoi këtë ndalim si një ngjarje historike, duke theksuar se Rusia do të humbasë tregjet e saj dhe do të pësojë humbje financiare.

“Ne ndaluam kalimin e gazit rus. Ky është një moment historik. Rusia po humbet tregjet e saj dhe Evropa ka marrë tashmë vendimin për të braktisur gazin rus”, u shpreh ai.

Ky ndalim i furnizimeve ishte i pritshëm pas shpërthimit të luftës në shkurt 2022, me Ukrainën që u shpreh e vendosur për të mos vazhduar marrëveshjen gjatë konfliktit të armatosur.

Sipas një burimi të industrisë, Gazprom ka parashikuar mungesën e kalimit të gazit përmes Ukrainës, një rrugë që ka përbërë gati gjysmën e eksporteve totale të gazit rus për në Evropë, shkruan Reuters, përcjell Klankosova.tv.

Pavarësisht kësaj, Rusia vazhdon të eksportojë gaz përmes gazsjellësit TurkStream, që kalon në fundin e Detit të Zi, i cili ka dy linja – një për tregun vendas turk dhe një tjetër për klientët në Evropën Qendrore, përfshirë Hungarinë dhe Serbinë.

Bashkimi Evropian ka intensifikuar përpjekjet për të ulur varësinë nga energjia ruse pas nisjes së luftës në Ukrainë, duke kërkuar burime alternative të energjisë.

Edhe disa nga vendet që vazhdojnë të blejnë gaz rus përmes Ukrainës, si Sllovakia dhe Austria, kanë siguruar burime të tjera furnizimi.

Një nga vendet më të prekur nga ky ndalim është Moldavia, një ish-republikë sovjetike, e cila ka njoftuar se do të miratojë masa për të zvogëluar përdorimin e gazit me një të tretën.