Përfundon dëshminë eksperti i ADN-së në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Ka përfunduar dëshminë dëshmitari William Goodwin i cili gjatë fundit të dëshmisë u mor në pyetje nga trupi gjykues.

Për Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dëshmitari tha se kanë standarde të mirë të vendosura për metodologjinë e punës së tyre.

Dëshmitari u mor në pyetje serish nga prokurori James Pace. Ndërsa, gjatë pyetjeve të avokates Aiden Ellis i cili përfaqëson Jakup Krasniqin, dëshmitari pohoi se nuk është në gjendje që të verifikoj që supozimi faktik i dal nga rezultatet e analizave a është i saktë apo jo, raporton betimiperdrejtesi.

Pyetje për dëshmitarin William Goodwin nuk pati pyetje mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e Rexhep Selimit.

Veç kësaj, u kërkua që të gjitha provat materiale qe kanë të bëjnë me këtë dëshmitar duke përfshirë edhe provat që sot gjatë ditës morën numër provizor, të pranohen në prova materiale.

Kundërshtime patën ekipet e mbrojtjes të përfaqësuar nga avokatja Colleen Rohan duke thënë se për këtë gjë kanë shkruar kolektivisht.

“Do të doja që të na jepni mundësi që të përgjigje me shkrim për secilin nga materialet në mënyrë individuale”, tha Rohan duke kërkuar që vendimi të merret nga trupi gjykues pas kësaj.

Në kundërpërgjigjen e tij, prokurori tha se kjo kërkesë e mbrojtjes tashmë është e tejkaluar.

Por, serish Rohan insistoi në kërkesën e saj duke thënë që mbrojtjes i duhet kohë që të shqyrtojë dokumentet duke e marrë parasysh që ky dëshmitar është i vetmi ekspert ADN-je në këtë lëndë gjyqësore.

Rohan tha se një gjë e tillë ishte lejuar edhe në çështjen e Salih Mustafës. Ndërsa, kryegjyqtari tha se do të bëjnë 15 minuta pushim dhe pas kësaj do të vendoset në lidhje me këtë çështje.

Vlen të theksohet se para pushimit të drekës, i akuzuari Kadri Veseli doli nga salla e gjyqit dhe seanca kaloi në pushim për pak minuta për të parë se si qëndron puna.

Vlen te theksohet se kërkesa e avokates Rohan u aprovua nga trupi gjykues dhe e njëjta bashkë me ekipet tjera mbrojtëse obligohet që parashtresat e tyre t’i dorëzojnë deri të premten e ardhshme, ndërsa ZPS-ja duhet të përgjigjet deri të hënën.