“Paqe përmes forcës”- Formula që Trump do aplikojë në politikën e jashtme

Në një fjalim në vijim të ceremonisë së përurimit, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të arrijnë “paqe përmes forcës”.

Trump tha se do të takohet shumë shpejt me homologun rus Putin dhe se ky i fundit po shkatërron Rusinë duke refuzuar negociatat e paqes me Ukrainën.

Sidoqoftë, detajet se si ai do të negociojë paqen mes Moskës dhe Kievit mbeten të panjohura.

“Ne do ta matim suksesin tonë jo vetëm me betejat që fitojmë, por dhe me luftërat që mbyllim dhe, më e rëndësishmja, luftërat ku nuk do të përfshihemi. Kjo quhet ‘paqe përmes forcës’. Ne nuk do të përfshihemi në luftëra”, deklaroi Trump.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi në rrjetet sociale se formula ‘paqe përmes forcës’ do t’i ofrojë mundësi Amerikës të forcohet dhe arritjen e një paqeje të drejtë dhe afatgjatë.

I pyetur nëse Trump mendonte se Izraeli dhe Hamasi do ta mbajnë armëpushimin, për të cilin Trump mori meritat, ai tha se nuk është optimist për këtë.

Gjithashtu, Trump hoqi sanksionet ndaj grupeve koloniale izraelite të akuzuara për dhunë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor me një urdhër ekzekutiv.