Pamje apokaliptike nga Los Angeles: Të paktën 10 të vdekur, zjarri vazhdon të përhapet, raportohet për dëme mbi 100 miliardë dollarë

Numri i të vdekurve nga zjarret që kanë përfshirë rajonin e Los Anxhelosit është rritur në 10, ndërsa dëmet janë vlerësuar në mbi 100 miliardë dollarë, raportojnë mediat amerikane. Frikësohet se numri i viktimave do të rritet më tej ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet në ndërtesat e djegura.

Zjarret kanë shkatërruar mijëra ndërtesa dhe kanë djegur mbi 142 kilometra katrorë tokë. Është urdhëruar evakuimi i rreth 179,000 personave, raportoi CBS.

Një zjarr i ri, i quajtur Kenneth, shpërtheu në lagjen West Hills dhe brenda disa orëve u përhap në pothuajse 1,000 hektarë.

Erërat e forta që përfshinë zonën të enjten shkaktuan shpërthimin dhe përhapjen e flakëve në zonat e dendura të banuara në jug të Kalifornisë, njoftuan autoritetet.

Ky zjarr ka shtuar shqetësimet për rrezikimin e jetës dhe pasurive në këtë rajon, ndërkohë që shërbimet e zjarrfikësve janë duke luftuar për të kontrolluar situatën.

Zjarrin në Hurst, i cili ka shpërthyer që nga e martja, tani është më shumë se një e tretë nën kontroll, sipas Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarret të Kalifornisë, që përbën një përmirësim nga 10% që ishte nën kontroll më herët të enjten në mbrëmje.

Zyra e Guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, i bëri thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt në një njoftim të shpërndarë në mediat sociale të enjten.

Në njoftim thuhej: „Banorëve që po kthehen në shtëpitë e tyre u rekomandohet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe TË MOS pinë ujë derisa të marrin udhëzime për ta bërë këtë.“

Sipas faqes së internetit Cal Fire, statusi i zjarreve të mëdha të enjten në mbrëmje është si më poshtë:
Palisades: të paktën 19,978 hektarë, 6% nën kontroll
Eaton: të paktën 13,690 hektarë, 0% nën kontroll
Hurst: të paktën 771 hektarë, 37% nën kontroll
Lydia: të paktën 348 hektarë, 60% nën kontroll
Kenneth: të paktën 960 hektarë, 0% nën kontroll

Në këtë moment, të paktën 6 zjarrë po shpërthejnë në Los Anxhelos dhe në rajonin përreth Ventura, dhe asnjëri prej tyre nuk është lokalizuar, përveç zjarrit në Woodley.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo