Policia Financiare ka ngritur padi për mashtrim me mjete ndihmëse ortopedike ndaj një kompanie në Shkup e cila ka dëmtuar buxhetin e FSSH-së me 140 mijë euro.
Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar padi penale kundër kompanisë Bauer-feind Sh.P.K. dhe drejtueses së saj me inicialet I.T., nën dyshimin se me deklaratë të rrejshme e ka dëmtuar buxhetin e Fondit për Sigurim Shëndetësor në vlerë prej mbi 140 mijë euro. E dyshuara, ka dhënë deklarata të rrejshme të cilat i ka vulosur në noter, për mjete ndihmëse ortopedike që i janë faturuar Fondit për Sigurim Shëndetësor.
POLICIA FINANCIARE
“Drejtuesja e denoncuar ka dhënë deklaratë të rreme pranë një noteri që konfirmon se ndihma ortopedike që ajo prokuron dhe faturon në Fond me emërtimin “Ortoza e hipit me nyje” është e përshtatshme dhe i përgjigjet ndihmës “Pajisje plastike hip me kyç në gju dhe kyçin e këmbës “, megjithëse ishte në dijeni se një ndihmë e tillë nuk përputhet me indikacionet dhe diagnozat mjekësore të vendosura në listën e mjeteve ndihmëse ortopedike që kërkojnë konfirmim nga mjeku specialist.”
Nga Policia Financiare, thonë se ajo ka mashtruar Fondin për të lidhur kontratë për blerjen dhe dorëzimin e mjeteve ndihmëse ortopedike të papërshtatshme të quajtur “Ortoza e hipit me nyje” në periudhën 1.1.2014 deri më 31.12.2016. Në atë periudhë kompania ka furnizuar Fondin me 171 nga këto ndihma, për të cilat ka ngarkuar një shumë prej 8.703.558 denarë ose 140 mijë euro, me çka është dëmtuar buxheti i këtij institucioni.