Numri i votuesve më i madh se i banorëve në Kosovë, KQZ tregon arsyen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka certifikuar të shtunën listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës, dhe ka bërë të ditur se 2 milionë 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për portalin rtv21.tv ka sqaruar se pse numri i votuesve është më i madh se numri i banorëve.

Ai ka thënë se në listën e votuesve përfshihen edhe shtetasit e Kosovës me të drejtë vote brenda dhe jashtë vendit, ndërsa në regjistrimin e popullsisë kanë marrë pjesë vetëm banorët rezidentë.

“Lista Votuese dhe regjistrimi i popullsisë duhet të shikohen ndaras. Në regjistrimin e popullsisë janë të përfshirë vetëm banorët rezident të pranishëm në Kosovë në kohën kur është bërë regjistrimi, pra nuk përfshihen qytetarët që jetojnë jashtë vendit, ndërsa në Listën Votuese përfshihen shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë Elezi.

Sipas rezultateve përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë (ReKos 2024), numri i popullsisë rezidente në Kosovë të regjistruar është 1 milion e 602 mijë e 515.