Numri i të vdekurve shkon në 66, detaje dhe pamje të tjera të zjarrit në një restort skijimi në Turqi

Një zjarr në një hotel në një vendpushim popullor skijimi në Turqi ka vrarë të paktën 66 persona, ka thënë ministri i brendshëm i vendit.

Ali Yerlikaya shtoi se të paktën 51 persona të tjerë u lënduan nga zjarri në hotelin Grand Kartal në vendpushimin e Kartalkaya në provincën Bolu, përcjell Telegrafi.

“… Fatkeqësisht kemi humbur 66 jetë në zjarrin që shpërtheu në këtë hotel”, ka thënë Yerlikaya.

Zjarri shpërtheu rreth orës 3:30 të mëngjesit në restorantin e hotelit 12-katësh, thanë zyrtarët.

Zjarri filloi në katin e katërt të hotelit me 161 dhoma, tha në një deklaratë Zyra e Guvernatorit të Bolu.

Ekuipazhet e urgjencës, duke përfshirë 30 kamionë zjarrfikës dhe 28 ambulanca, u përgjigjën nga Bolu dhe provincat fqinje.

Gjithsej 85 automjete dhe 231 personel u përfshinë në përpjekjet e shpëtimit dhe shuarjes së zjarrit, me përforcime që vijojnë të mbërrijnë.

Zjarri përkoi me pushimet shkollore të Turqisë, një periudhë kulmore për familjet nga Stambolli dhe Ankaraja që vizitonin malet Bolu për sportet dimërore.

Shkaku i zjarrit po hetohet ndërkohë që bëhet e ditur se në hotel ishin 234 të ftuar.