Një muaj paraburgim për të dyshuarin që kërcënoi kryeministrin Kurti

30 ditë paraburgim për M.R.

Kështu vendosi sot Gjykata Themelore e Mitrovicës, ndaj personit që dyshohet se e kërcënoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga Hateme Haxhaj-Haziri, udhëheqëse e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykaten Themelore në Mitrovicë.

Ai dyshohet se ka kryer vepren penale “Kanosje”.

Klankosova.tv e ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Sipas vendimit të marrë më 11 janar 2025, thuhet se në seancën dëgjimore, prokurorja Albana Parduzi e ka elaboruar kërkesën për caktim të paraburgimit, duke thënë se ekziston dyshimi i bazuar që i pandehuri ka kryer veprën për të cilën dyshohet.

Kurse, mbrojtësja e të dyshuarit, avokatja Jelena Krivokapic kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij.

“Me vet faktin se i mbrojturi im e ka pranuar veprën ajo më nuk është dyshim i bazuar, nuk ekzistojnë asnjëri nga arsyet e posaçme në të cilat prokuroria thirret, për arsye se nuk ekziston rreziku nga përsëritja e veprës, kjo edhe me vetë veprimin e tij të nesërmen pasi që e ka bërë këtë vepër i mbrojturi im e ka kuptuar që ka gabuar dhe është frikësuar, është penduar, sepse natën paraprake ka qenë në gjendje të alkoolizuar dhe nuk ka qenë i vetëdijshëm se çfarë është duke vepruar dhe vetëm në mëngjes kur ka hyrë në faqen e instagramit të tij e ka kuptuar se çfarë foto gjenden aty”, deklaroi avokatja e të pandehurit.

Sipas saj, fotot janë fshirë menjëherë dhe i dyshuari e ka mbyllur llogarinë, me çka sipas saj ka treguar pendim të thellë dhe e ka thyer edhe telefonin.

Avokatja Krivokapic kishte kërkuar që ndaj të mbrojturit të saj të caktohet një masë alternative, sikurse është arresti shtëpiak. Tha se meqenëse M.R., e ka pranuar fajësinë, ka pritur që çështja të procedohet direkt me aktakuzë.

Në anën tjetër, i dyshuari M.R., u pajtua me fjalët e mbrojtëses së tij, ndërsa tha se e pranon veprën në tërësi dhe shprehet i penduar.

“Pendohem dhe e pranoj veprën në tërësi dhe premtoj se nuk do të përsërisë vepër të tillë. Nuk kam asnjë mendim të keq për kryeministrin dhe nuk kam asnjë interesim për organizatën “Brigada e Veriut” dhe nuk është në interesin tim pasi që kam jetën time, këto veprime kanë qenë në gjendjen time të alkoolizuar”, thuhet të ketë deklaruar i dyshuari.

I njëjti ka kërkuar nga Gjykata që t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak, me premtimin se do ta respektojë.

Më pas, Gjykata pas vlerësimit të pretendimeve të palëve dhe provave në shkresa të lëndës, gjeti se kërkesa e Prokurorisë për caktim të paraburgimit ndaj M.R., është e bazuar.