Ngritet aktakuzë kundër 10 personave dhe një personi juridik për prostitucion, pastrim parash dhe trafik droge
Pas përfundimit të hetimit të udhëhequr nga Prokuroria Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të cilin morën pjesë oficerë policie nga Qendra Hetimore e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe nga Departamenti i Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë në MPB të RMV-së, prokurori i këtij institucioni dorëzoi një aktakuzë pranë Gjykatës Themelore Shkup kundër 10 personave dhe një personi juridik.
Shtatë të akuzuar si anëtarë të një grupi kriminal kanë kryer krimin “Përhapje të prostitucionit”, prej të cilëve katër janë akuzuar edhe për krimin “Pastrim parash dhe të ardhura nga krimi”, për të cilin akuzohet edhe personi juridik. Dy të tjerët, pjesëtarë të grupit, janë akuzuar për “Prodhim dhe shpërndarje të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, ndërsa oficerit të policisë, përveç “Grupit kriminal”, i vihet në ngarkim edhe krimi “Zbulim i sekreteve të shërbimit”.
Grupi kriminal i është krijuar nga i dyshuari i parë, i cili ka organizuar dhe koordinuar aktivitetet kriminale të anëtarëve të tjerë të grupit, i cili nga viti 2020 deri në tetor 2024 merrej me ndërmjetësimin në prostitucion dhe tregtinë e paligjshme me drogë, ndërsa disa nga të akuzuarit fshehën të ardhurat e paligjshme nga këto krime. Anëtarë të grupit kriminal ishin gjithashtu dy punonjës të shërbimeve – një oficer i burgut dhe një oficer policie.
Gjatë hetimit, tre nga të dyshuarit e pranuan kryerjen e krimeve dhe u pajtuan me prokurorinë. Bazuar në propozimin e marrëveshjes, dy individëve për krimet “Grupi kriminal” dhe “Prodhimi dhe shpërndarja e drogës, substancave psikotrope dhe prekursorëve” iu shqiptuan dënime me burg prej 2 vjet e 3 muaj dhe 1 vit e 8 muaj, ndërsa punonjësi i shërbimit u dënua me 1 vit e 8 muaj burg për krimet “Grupi kriminal” dhe “Zbulimi i sekretit shërbimit”. Për të dyshuarin që është i paarritshëm nga organet e ndjekjes, procedura është ndërprerë deri në gjetjen e tij.
Në procedurë janë caktuar masa ndaj pasurisë së paluajtshme në Tetovë dhe Gostivar, pasuri lëvizëse – automjete, bizhuteri dhe orë me vlerë të konsiderueshme, si dhe para dhe objekte të tjera që rrjedhin dhe janë fitim nga krimet.
Duke marrë parasysh rrethanat, lidhjen e të akuzuarve dhe krimet që u janë ngarkuar, prokurori publik vlerëson se masa e paraburgimit është e vetmja që mund të sigurojë praninë e të akuzuarve dhe zhvillimin e pandërprerë të procedurës, prandaj i propozoi gjykatës që ajo të vazhdohet për secilin prej tyre.