Netanyahu: Izraeli ka të drejtë t’u kthehet luftimeve nëse e sheh të nevojshme

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli ruan të drejtën t’u kthehet luftimeve në Gazë ndaj Hamasit, nëse e sheh të nevojshme këtë.

Në një fjalim para kombit izraelit, 12 orë para se të nisë armëpushimi i dakorduar në Gazë, Netanyahu ka thënë se po e pret listën e pengjeve të para të liruar – sipas tij ky do të jetë veprimi i parë që pritet.

Ai ia ka dhënë meritat arritjes së armëpushimit ndihmës së presidentëve amerikanë, Joe Biden në largim dhe Donald Trumpit në ardhje.

Ai ka thënë se ndihet krenar që është lider i Izraelit në këtë kohë. Netanyahu ka thënë se Bideni e Trumpi i kanë mbështetur tërësisht qëllimet e luftës.

Netanyahu ka shtuar se Trumpi do ta mbështesë Izraelin me të gjithë armatimin e nevojshëm teksa izraelitët “ruajnë të drejtën” të vazhdojnë luftimet po që se është e nevojshme.

“E kemi ndryshuar fytyrën e Lindjes së Mesme”, ka thënë ai. Sipas tij, Hamasi “tani është tërësisht i vetëm”.

Të shtunën, Qeveria e Izraelit e miratoi marrëveshjen për armëpushim në Gazë, pas 15 muajsh luftimesh.

Sipas marrëveshjes, armëpushimi me tri faza fillon me një fazë fillestare gjashtëjavore kur pengjet e mbajtura nga Hamasi do të shkëmbehen me të burgosur palestinezë në Izrael.

Lufta e Gazës – e cila filloi kur Hamasi pati organizuar sulmin më shkatërrues në historinë e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë qindra në Izraelin jugor – ka nisur një sërë konfliktesh të tjera më të vogla në Lindjen e Mesme.

Marrëveshja do të ndalojë luftën 15-mujore midis Izraelit dhe sundimtarëve të Gazës, Hamasit. Lufta e ka shkatërruar Rripin. Ka shkaktuar vdekjen e afro 47 mijë palestinezëve.