Moti i keq, ndërpriten punimet në Stadiumin e Tetovës, Kasami: Vazhdojmë intenzivisht në mars, brenda 2025 do të jetë gati
Punimet në stadiumin e qytetit të Tetovës janë ndalur për shkak kushteve klimatike, por kryetari i Tetovës Bilall Kasami, thotë se ato do të vazhdojnë intenzivisht nga muaji mars. Ai beson se brenda vitit 2025, tribuna përballë do të jetë gati.
“Punët në stadiumin e qytetit vazhdojnë, por tash në këtë periudhë për shkak të kushteve klimatike nuk punohet aty. Po gjithashtu punimet e deri tanishme janë bërë në pjesën e punimeve nëntokë dhe sigurisht ata punë janë që nuk duken. Unë besoj që nga marsi do të dalin me punime mbi tokë dhe intensiteti i punimeve do të përcillet dhe do të duket edhe më qartë se me çfarë intensiteti bëhet. Unë besoj që brenda vitit 2025 do të përfundojë tribuna që është duke u punuar që është përball. Dinamika është që me përfundimin e njërës, të vazhdojë çdo tribunë, një nga një, që mos ndërpriten ndeshjet të cilat realizohen në stadiumin e qytetit“, deklaroi Kasami.
Në buxhetin e komunës për vitin 2025 nuk janë paraparë mjete enkas për stadiumin, por udhëheqësi i financave Nuredin Deari thotë se investimi do të kryhet nga ndërmarrja e transportit.
“Jo. Stadiumi i qytetit është si investim i cili do të kryhet nga ndërmarrja e Transportit dhe nuk është i përfshimë. Stadiumi i qytetit është një investim shtesë e cili i shtohet kësaj 16 milionë euro për vitin 2025.”, theksoi Nuredin Deari.
Në bazë të projektit stadiumi i qytetit në Tetovë ndërtohet sipas standardeve që kërkon UEFA dhe i njëjti duhet të përfundojë në vitin 2026.