Jonathan Lachman, ish-kreu i projekteve speciale në OpenAI, ka vendosur të largohet nga kompania dhe t’i bashkohet një laboratori kërkimor të inteligjencës artificiale të themeluar nga ish-shefja e OpenAI, shqiptarja Mira Murati. Ky është punësimi më i lartë që Murati ka bërë që nga largimi i saj nga OpenAI në shtator të vitit të kaluar, kur ajo filloi një sipërmarrje të re, e fokusuar në eksplorimin e Inteligjencës së Përgjithshme Artificiale (AGI).
Murati ka rekrutuar deri tani rreth 10 studiues dhe inxhinierë nga kompani të njohura si OpenAI, Character AI dhe Google DeepMind. Megjithatë, startupi i saj është ende në fazat e hershme dhe ende nuk ka një emër ose produkt të qartë, sipas burimeve të njohura me këtë kompani.
Përveç kësaj, një zëdhënës i OpenAI konfirmoi largimin e Lachman, por as Murati dhe as Lachman nuk kanë bërë komentet publike në lidhje me këtë zhvillim.
Kjo lëvizje vjen pas një periudhe të trazuar për OpenAI, që kulmoi me shkarkimin e papritur të CEO-s Sam Altman nga bordi i drejtorëve në fund të vitit 2023. Në atë periudhë, Murati ishte emëruar përkohësisht si CEO dhe më pas, pas një periudhe të pasigurisë, Altman u rikthye në krye të kompanisë.
Kur Murati vendosi të largohej nga OpenAI, ajo e shoqëroi vendimin me një letër lamtumire, duke falenderuar Altman për mbështetjen dhe duke shpjeguar se po largohej për të nisur eksperiencën e saj personale.
Pas largimit nga OpenAI, Murati filloi të punojë për një startup të ri që ka mbledhur deri tani mbi 100 milionë dollarë financime.