Mickoski: Është vënë në përdorim linja hekurudhore Kumanovë – Beljakovcë, me gjatësi prej mbi 30 kilometra dhe me vlerë prej mbi 78 milionë euro
„I nderuar Ambasador i BE-së, Mihail Rokas,
I nderuar Shef i Zyrës së BERZH-it, Fatih Turkmenogllu,
Të nderuar zëvendëskryetarë të Qeverisë, drejtor i Infrastrukturës Hekurudhore të Maqedonisë, drejtor i Transportit Hekurudhor të Maqedonisë, deputetë, kryetarë komunash,
I nderuar Ministër i Transportit Aleksandar Nikollovski dhe Sinisha Ivanovski,
Të nderuar ekselenca, përfaqësues të mediave, miq të dashur dhe mysafirë të nderuar,
Është një kënaqësi e veçantë për mua që të vihet në përdorim faza e parë e linjës hekurudhore drejt fqinjit lindor, Kumanovë-Beljakovcë, me gjatësi prej mbi 30 kilometra, për të cilën, siç u tha, janë investuar më shumë se 78 milionë euro.
Por ajo që përfaqëson një simbolikë të rëndësishme është fakti që ndërtimi i kësaj linje hekurudhore përfaqëson një fitore ndaj një tranzicioni të dështuar dhe kriminal, si dhe një fitore ndaj të gjitha premtimeve të rreme për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore, që ishte premtuar vazhdimisht, jo vetëm gjatë viteve të nëntëdhjeta, por edhe dy dekada e gjysmë më vonë.
Treni i fundit që ka qarkulluar në këtë drejtim ishte në vitin e largët 1996 dhe praktikisht ndërtimi i saj u kthye në një mit për gënjeshtrat dhe dështimet e, për fat të keq, shumë qeverive pasuese. Pothuajse 28 vjet më vonë, jemi në një ngjarje të bukur, ku jemi dëshmitarë të vënies në përdorim të një linje moderne hekurudhore, një segment i rëndësishëm i Korridorit 8.
Në njëfarë mënyre, në ndërtimin e kësaj linje hekurudhore ishte përfshirë edhe Bashkimi Evropian, pra një pjesë e fondeve u siguruan nga BE-ja dhe BERZH-i, ndërsa në disa segmente të kësaj linje hekurudhore morën pjesë përmes aktiviteteve të tyre kompani nga Italia, Sllovenia, Austria dhe shtete të tjera evropiane. Faleminderit për mbështetjen dhe për mundësinë që bashkërisht të shënojmë përfundimin e fazës së parë të këtij projekti strategjik.
Korridori 8, për ne si Qeveri, përfaqëson një projekt po aq të rëndësishëm dhe strategjik sa Korridori 10, sepse, siç thashë së fundmi, heqja dorë nga një aks tjetër projektual, konkretisht rruga eksprese që lidh Gradskon-Drenovën-Farishin, është një tregues i qartë i prioritetit tonë. Këto dy korridore janë prioriteti kryesor i kësaj Qeverie, pasi ne si shtet përfaqësojmë një udhëkryq natyror për këto dy korridore dhe kjo duhet të jetë një avantazh i yni krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Jam i bindur se, së shpejti, do të përfundojë edhe aksi i dytë, përkatësisht do të përfundojë brenda afatit të parashikuar në marrëveshje. Dhe shumë shpejt nga sot, do të përfundojë procedura e tenderit edhe për aksin e tretë, me çka do të jemi plotësisht të lidhur me fqinjët tanë lindorë. Kjo praktikisht do të na bëjë pjesë të një korridori shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Bashkimin Evropian, por edhe për Aleancën e NATO-s, dhe ky është korridori që lidh Bullgarinë, Maqedoninë, Shqipërinë, dhe më pas Italinë, pra Korridori 8 që lidh Detin e Zi me Adriatikun.
Gjithashtu më lejoni të përmend se të gjithë ata që ishin të përfshirë në këtë projekt janë më meritor. Por më meritor janë ata që dhanë një pjesë të jetës së tyre, investuan shumë energji, përkatësisht punuan me shumë përkushtim çdo ditë, ditë e natë, që kjo që sot kaluam me tren të bëhet realitet dhe që do të përdoret në ditët që do të vijnë.
Ministri i Transportit dhe zëvendëskryetar i Qeverisë Nikollovski, deklaroi se, falë drejtorit të Transportit Hekurudhor të Maqedonisë dhe drejtorit të Infrastrukturës Hekurudhore të Maqedonisë, do të fillojë linja e rregullt Kumanovë-Shkup dhe në disa ditë të caktuara do të kemi edhe këtu deri në Belljakovcë qarkullimin normal të trenave. Por dua të theksoj rolin e punëtorëve që morën pjesë në ndërtimin e kësaj linje hekurudhore. Dua t’u falënderoj nga zemra, në emrin tim dhe në emër të Qeverisë, sepse pa përkushtimin e tyre të përditshëm, dëshirën dhe energjinë, projekti nuk do të përfundonte brenda afatit, siç e përmendi drejtori i Infrastrukturës Hekurudhore të Maqedonisë.
Dhe më pas, ndoshta nuk do të kishim mundur sot, në këtë ditë të mrekullueshme me diell, janari, të gëzohemi për këtë linjë hekurudhore, për këtë linjë. Prandaj, ju falënderoj në emrin tim dhe në emër të Qeverisë për gjithçka që keni bërë.
Më lejoni gjithashtu të shpreh mirënjohjen time për të gjithë të punësuarit në Infrastrukturën Hekurudhore të Maqedonisë dhe paraprakisht të falënderoj të punësuarit në Transport Hekurudhor të Maqedonisë, të cilët do të operojnë trenat në këtë linjë. Sepse edhe ata, së bashku me drejtorët, kanë meritën që ne sot po e përdorim këtë linjë dhe do ta përdorim edhe në të ardhmen. Shpresoj se një numër i madh banorësh të këtij rajoni të atdheut tonë do të jenë në gjendje të shfrytëzojnë këtë linjë hekurudhore. Një pjesë e madhe e banorëve të Kumanovës, Shkupit, si dhe qytetarë të tjerë të vendit tonë, do të kenë mundësinë të përdorin linjen nga Kumanova deri në Shkup në vitet që vijnë.
Gjatë ditëve të fundit, dua të theksoj se kemi vënë në funksion projekte me vlerë mbi 220 milionë euro; janë përfunduar projekte me vlerë mbi 220 milionë euro, dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme. Urime!
Filluam më 4 janar, kur fillimisht e vumë në funksion aksin e rrugës ekspres nga Çatalli përmes Dllabocicës deri në Kriva Pallankë, pastaj vazhduam me Drenovën, përkatësisht Gradsko-Drenovë-Farish dhe e përfunduam këtë seri me këtë linjë hekurudhore që lidh Kumanovën dhe Belljakovcën. Uroj të jetë me fat për të gjithë. Një shifër vërtet mbresëlënëse prej mbi 220 milionë euro investime.
Dhe, në fund, jam i sigurt se edhe për këtë projekt opozita do të dalë dhe në mungesë të ideve, do të thotë se edhe këtë e kanë ndërtuar ata. Prandaj, edhe një herë po e shfrytëzoj këtë rast për t’i falënderuar ata që, në shtatë vitet e fundit si qeveri, nuk arritën ta vënë në funksion këtë projekt, duke e lënë që të vinte kjo qeveri, ku është koalicioni “Maqedonia Yte”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, koalicioni “VLEN” dhe partia politike “ZNAM”, për ta përfunduar, për ta mbyllur dhe të vëjë në funksion të gjitha këto projekte me vlerë totale prej më shumë se 220 milionë euro. Por mesazhi është se kjo është një linjë hekurudhore për të gjithë, kjo linjë është për qytetarët dhe ata do ta shfrytëzojnë këtë linjë. Qoftë me fat për të gjithë dhe urojmë që të kemi shumë projekte të tilla edhe në vitet që vijnë.
Ajo që dua të përmend në fund është se ne si qeveri vazhdojmë me një dinamikë të pandalshme për të realizuar projektet, angazhimet dhe premtimet që ishin pjesë e programit të qeverisë dhe fushatës që çoi në një fitore historike të jashtëzakonshme në zgjedhjet parlamentare të majit 2024. Me një dinamikë të pandalshme, me një pasion edhe më të madh dhe me një motivim edhe më të fortë, në muajt dhe vitet që vijnë si qeveri do t’i dorëzojmë qytetarëve atë që u kemi premtuar dhe për të cilën jemi obliguar para qytetarëve.
Prandaj, edhe njëherë të nderuar të pranishëm, ju falenderoj për mbështetjen që na e jepni dhe ajo që është më e rëndësishmja për ne është që ta kthejmë Maqedoninë përsëri te ju, te qytetarët, që të jetë sërish krenare dhe Zoti e bekoftë Maqedoninë tonë.
Ju falenderoj nga zemra.“
Me respekt,