13 janar 2025, Shkup – Të hyrat dhe shpenzimet në Buxhetin e vitit 2024 janë realizuar në nivel prej mbi 96%, që është në përputhje me atë që është planifikuar në buxhet. Rritja e të hyrave dhe shpenzimeve krahasuar me vitin paraprak është rreth 10%, ndërsa deficiti buxhetor është më i ulët se vlera e planifikuar për 2.5 miliardë denarë dhe është në nivel prej 4.4% të PBB-së.
Të hyrat e përgjithshme në Buxhetin e vitit 2024 janë realizuar në vlerë prej 306.3 miliardë denarëve ose 96.3% nga ajo që ishte planifikuar. Të hyrat nga tatimet dhe kontributet janë realizuar në tërësi, respektivisht 99.7%, ndërsa vetëm nga tatimet realizimi është 99.2%. Tatimi mbi të ardhurat personale ka realizim prej 101%, tatimi mbi vlerën e shtuar 103.8%, tatimi mbi fitimin 95.6% dhe detyrimet e importit 95.3%.
Realizimi i të hyrave në buxhet është në përputhje me atë që është planifikuar sipas ribalancit. Të dhënat tregojnë inkasimin efikas të të hyrave nga Drejtoria e të Hyrave Publike dhe Drejtoria Doganore.
Këto të hyra tatimore dhe kontribute janë realizuar në vlerë prej 283.6 miliardë denarëve dhe paraqesin 92.6% në strukturën e të hyrave të përgjithshme buxhetore. Të hyrat nga tatimet në vitin 2024 janë realizuar në nivel prej 177.9 miliardë denarëve dhe janë për 12.8% më të larta krahasuar me vitin e kaluar. Kontributet e sigurimit social janë realizuar në vlerë prej 105.7 miliardë denarëve dhe ato janë më të larta për 14.1% krahasuar me ato që janë realizuar në vitin 2023. Shpenzimet e përgjithshme në vitin 2024 janë realizuar në vlerë prej 348.5 miliardë denarëve ose 96.1% e planit vjetor dhe janë për 9.4% më të larta se shpenzimet buxhetore të realizuara në vitin 2023. Shpenzimet kapitale në vitin 2024 janë realizuar në vlerë prej 28.7 miliardë denarëve ose 76.8% e vlerës së planifikuar. Për realizimin e projektit për ndërtimin e autostradave të korridoreve 8 dhe 10-d janë realizuar 4.1 miliardë denarë, përkatësisht për vitin 2024 buxheti i paraparë për këtë projekt është realizuar në tërësi.
Po ashtu, janë realizuar 21.2 milionë denarë për projekte komunale, si dhe 165 milionë denarë për projekte për përmirësimin e shërbimeve komunale përmes Përmirësimit të Shërbimeve të Përgjithshme Komunale MSIP me hua nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (Banka Botërore). Shpenzimet për mallra dhe shërbime janë realizuar në vlerë prej 22.9 miliardë denarëve ose 88% të mjeteve të planifikuara. Transfertat kundrejt komunave përmes bllok dotacioneve dhe dotacioneve në bazë të TVSH-së janë realizuar në vlerë prej 30.9 miliardë denarëve dhe janë rreth 3.4 miliardë denarë më shumë krahasuar me vitin e kaluar, subvencionet bujqësore janë realizuar në vlerë prej 9.2 miliardë denarëve dhe janë paguar në tërësi.
Është veçanërisht i rëndësishëm fakti që deficiti buxhetor është realizuar në masë më të ulët dhe se ai është pjesë e planit të konsolidimit fiskal.
Deficiti buxhetor me ribalancin e buxhetit ishte projektuar në nivel prej 4.9%, ndërsa në vitin 2024 deficiti buxhetor është realizuar në nivelin prej 4.4% të PBB-së ose në vlerë absolute më të ulët për 2.5 miliardë denarë. Gjithashtu, borxhi publik do të jetë më i ulët se ai që është projektuar dhe me gjasë do të jetë në nivel prej 62.2%. Ky vit ka filluar me financa publike likuide dhe stabile.