Mashtrimet telefonike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, Ministria e Brendshme ka lëshuar një apel drejtuar qytetarëve për të qenë të kujdesshëm dhe vigjilentë kur marrin thirrje telefonike
MPB njofton se Sektori i Krimit Kompjuterik pranë Ministrisë së Brendshme po merr masa aktive për hetimin dhe trajtimin e mashtrimeve telefonike që realizohen përmes teknikave të ridrejtimeve të numrave të telefonit dhe falsifikimit të Caller ID. Këto mashtrime, të cilat janë bërë gjithnjë e më të shpeshta kohët e fundit, kanë për qëllim manipuluar qytetarët dhe fitimin e informacionit të besueshëm ose fondeve financiare. Mashtruesit shpesh paraqiten si përfaqësues të bankave, institucioneve publike ose kompanive për të mashtruar viktimat. Sektori i Krimit Kompjuterik ka realizuar kontrolle lidhur me mashtrimet telefonike dhe ka konfirmuar se për manipulimin e thirrjeve mund të përdoren mjete të ndryshme si:
Shërbimet VoIP: Shërbimet e telefonisë përmes protokollit të internetit (VoIP) mundësojnë që përdoruesit të bëjnë thirrje përmes internetit. Shumë ofrues të shërbimeve VoIP ofrojnë funksione si ridrejtime thirrjesh, maskimin dhe drejtimin përmes numrave virtualë.
Aplikacione për falsifikim: Softuerë dhe aplikacione si “SpoofCard” ose mjete të ngjashme mundësojnë që përdoruesit të ndryshojnë Caller ID që shfaqet. Këto mjete shpesh promovohen për qëllime private ose biznesi, por mund të keqpërdoren.
Sistemet PBX (Rrjetet e Ndërrimit Privat): Bizneset përdorin sisteme PBX për të menaxhuar thirrjet hyrëse dhe dalëse. Këto sisteme mund të ridrejtojnë thirrjet përmes numrave të ndryshëm dhe të ndryshojnë Caller ID për qëllime profesionale.
Zëvendësimi i SIM Kartelave: Ky është një teknikë mashtruese ku sulmuesit transferojnë numrin e viktimës në një kartelë SIM tjetër për të kapur thirrjet dhe mesazhet.
Sektori i Krimit Kompjuterik pranë Ministrisë së Brendshme apelon te publiku:
Të jeni të kujdesshëm kur merrni thirrje telefonike nga numra të panjohur ose nga numra që paraqiten si institucione të besueshme.
Kurrë mos ndani informacion personal, informacione bankare ose fjalëkalime përmes telefonit.
Nëse dyshoni se keni rënë viktimë e një mashtrimi të tillë, menjëherë raportoni rastin në stacionin më të afërt të policisë.