LSDM: Qeveria dështoi të frenojë rritjen e çmimeve/ VMRO: Inflacioni ishte i lartë në kohën e LSDM-së

Vazhdojnë akuzat mes partive politike në vend. LSDM-ja opozitare e ka cilësuar si dështim të plotë politikën e qeverisë për shportën e Vitit të Ri. Sipas tyre, partia në pushtet VMRO-DPMNE nuk ka arritur të frenojë rritjen e çmimeve, pasi u ka dhënë kohë dhe hapësirë shitësve të mëdhenj për të rritur çmimet para se masat të hyjnë në fuqi.

“Në vend që të ulnin çmimet, ato u rritën, sepse qeveria u dha kohë dhe hapësirë tregtarëve të mëdhenj për të rritur çmimet e produkteve përpara se masa të hynte në fuqi. Vaji i ullirit, vezët, sheqeri, produktet e qumështit, bizelet, fasulet dhe thjerrëzat janë bërë më të shtrenjta dhe këtë qytetarët e ndjejnë çdo ditë dhe e shohin nëpër dyqane e markete. Kostoja e jetesës në dhjetor 2024 u rrit me 4.4%, dhe çmimet e mallrave bazë u rritën me 4.3%. Inflacioni gjithashtu u rrit, duke arritur në 4.4 për qind në dhjetor 2024, sipas LSDM.

Në anën tjetër, VMRO-DPMNE ka reaguar duke i akuzuar liderët e LSDM-së se në kohën e tyre kur ishte në pushtet, inflacioni ka qenë më i lartë.

“Ata nuk kanë vënë këmbë në treg, pasi i gjithë drejtimi i tyre jeton në një piedestal të lartë. Duke filluar nga presidenti i tyre, Venko Filipçe, i cili vozitë makina të shtrenjta dhe vazhdimisht pushon në Dubai, e deri te zëvendësja e tij, Fani Karanfilova Panovska, tarifat mujore të së cilës në OJQ-në Soros arrinin në disa mijëra euro. Nëse LSDM-ja do të bënte pazar në markete dhe shitore, do të shihte se mbi 1000 produkte ishin me çmime të reduktuara dhe vazhdimisht po merren masa për uljen e çmimeve. Inflacioni është në rënie të vazhdueshme, krahasuar me periudhën e qeverisjes së LSDM-së kur ishte dyshifror, thotë VMRO-DPMNE.

Kjo përplasje erdhi si pasojë e një mase të veçantë të qeverisë për uljen e çmimeve të disa produkteve ushqimore esenciale gjatë periudhës festive të fundvitit, e cila ishte në fuqi nga data 15 dhjetor 2024 deri më 15 janar 2025. /tvklan.mk/