Lionel Messi pranon ‘dobësinë’ në lojën e tij

Lionel Messi ka folur më parë për një dobësi në lojën e tij që mund të jetë befasi për dikë, por jo edhe për shumicën.

Tetë herë fituesi i Topit të Artë, Messi është ndër lojtarët më të mëdhenj në histori, ndërsa disa besojnë se ikona e Argjentinës është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave.

37-vjeçari është lojtari më i trofeshëm ndonjëherë, pasi ka fituar 45 trofe ekipor, duke përfshirë 12 tituj ligash, katër Liga të Kampionëve, dy Copa America dhe një Kupë të Botës.

Ai gjithashtu mban një sërë rekordesh, duke përfshirë më shumë trofe të Këpucës së Artë evropiane (gjashtë), më shumë gola për një klub të vetëm (672 me Barcelonën) si dhe më shumë gola në La Liga (474), het-trik (36) dhe asistime (192).

Megjithatë, Messi, me pranimin e tij, ka ende dobësi në lojën e tij. Ai i tha ekipit mediatik të Barcelonës në vitin 2018 se dëshironte të përmirësonte penalltitë.

“A ka një gjë që më ha mua?. Unë do të doja të jem shumë më efektiv në goditjet e penalltisë”, ka thënë Messi.

Messi ka shënuar 111 penallti në karrierën e tij, duke përfshirë një të kthyer në gol në finalen e Kupës së Botës me Francën. Megjithatë, ai ka humbur 31 penallti, po aq sa rivali i tij i madh Cristiano Ronaldo.

Megjithatë, argjentinasi ka pasur një sërë humbjesh në ndeshje të mëdha nga pika e bardhë, duke përfshirë gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2012 kundër Chelseat dhe në finalen e Copa America kundër Kilit në 2016-ën.