Limani nga Gostivari: Bashkëpunimi me komunat është kyç, po i zgjerojmë kapacitetet e kopshteve dhe ofrojmë punësime të reja

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka vizituar sot disa institucione sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve në Komunën e Gostivarit.

Së bashku me kryetarin e Komunës së Gostivarit, Valbon Limani e vizituan Qendrën për Autizëm “Blue Puzzle”, me qëllim të dhurimit të pakove humanitare nga organizata qytetare ADRA.

Rrëfimi i krijimit dhe kujdesit për fëmijët me autizëm “Blue Puzzle” është mbresëlënëse dhe askush nuk mund të mbetet indiferent. Një grup prindërish, të përballur me sfidën e diagnozës së autizmit tek fëmijët e tyre, filluan një mision vërtet sfidues për të krijuar një qendër të tillë me standarde të larta për trajtimin dhe terapinë e fëmijëve me autizëm.

Ministri Limani edhe një herë e konfirmoi mbështetjen e plotë të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Deri më sot, ne kemi rreth 133 ofrues të licencuar të shërbimeve sociale në sistemin e mbrojtjes sociale, të cilët u mundësojnë përfituesve të bëjnë jetë të pavarur dhe do të kenë mundësi për të marrë pjesë në shoqëri në baza të barabarta.

Donacione të pakove humanitare nga organizata ADRA iu dhuruan edhe Qendrës Ditore për Personat me Aftësi të Kufizuara Fizike dhe Intelektuale në Gostivar, ku shërbimin e shfrytëzojnë 10 fëmijë në baza ditore.

Proaktiviteti i komunave është i një rëndësie të madhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Komuna e Gostivarit ka aplikuar dhe ka marrë grant për zgjerimin e kapaciteteve të kopshteve të fëmijëve, përkatësisht përshtatjen e objekteve në kushte të tjera hapësinore që e siguron Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë në bashkëpunim me Bankën Botërore. Konkretisht, dy klasa në shkollën fillore “Vëllezërit Ginovski” do të përshtaten për grupe të fëmijëve të moshës parashkollore, me kapacitet të përgjithshëm prej 60 fëmijëve.

Aktualisht, Komuna e Gostivarit është duke aplikuar për ndërtimin e objektit të ri në kuadër të kopshtit “Detska radost”. Vijon procesi i dokumentacionit të nevojshëm dhe përmbushja e të gjitha kushteve juridike që ky projekt të marrë mbështetje financiare nga Ministria.

Ministri Limani shprehu kënaqësi të veçantë të njoftojë se IP “Detska Radost”, Gostivar, objekti “Lulet” ka marrë pëlqimin për 10 punësime të reja. U diskutua edhe për ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, i cili e zhbllokon procesin e licencimit dhe mundëson që përveç gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik licencat të merren edhe në gjuhën shqipe, dhe më tej provimi do të jepet edhe në gjuhën shqipe, respektivisht në gjuhën që e flasin 20% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, sepse të gjithë qytetarët janë njësoj të rëndësishëm!