“Levica” me ligj kundër gjuhës shqipe! Ajdari: Shqetësuese, spektri politik maqedonas i bashkuar kundër shqipes!

Vazhdojnë tentimet e partive politike maqedonase kundër përdorimit të gjuhës shqipe. Së fundi, Levica e Dimitar Apasiev ka dorëzuar ligj të ri në Kuvend përmes të cilit do të tentojë heqjen e përdorimit të gjuhës shqipe nga deklaratat e produkteve nëpër markete.

Përmes një konference nga Levica bëjnë të ditur se tentojnë heqjen e shqipes për të ruajtur statusin unitar të shtetit, të cilin sipas kësaj partie e kanë prishur partitë e pushtetit dhe ish pushtetit.

Kundër këtij propozimi ka reaguar Fronti Europian.

Gjuha shqipe dhe tentimi për të ndalur përdorimin e sajë ka bashkuar spektrin politik maqedonas në vecanti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të zhvilluar seancë në të cilën do të shqyrtohet kushtetutshmëria e Ligjit për Gjuhët. Në këtë drejtim, “Levica” ka dorëzuar në Kuvend ligjin përmes të cilit kërkon që të hiqet përdorimi i gjuhës shqipe nga deklarimet e produkteve, gjë e cila është rregulluar sipas “Levicës” me shpejtësi të paparë në mandatin e kaluar nga ana e ish ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

AMAR MECINOVIQ- DEPUTET “E MAJTA”

“Këtë ligj e ofrojmë në funksion të mbrojtjes dhe funksionimit të shoqërisë dhe në funksion të ruajtjes së unitetit të shtetit. E ofrojmë këtë si zgjidhje përkundër ndarjes gjuhësore të cilën tash e një kohë partitë e elitës tentojnë ta normalizojnë në vendin tonë. Propozimi jonë nuk është emotive, por ka për qëllim ruajtjen e komunikimit ndër-shoqërorë. E kujotojmë opinionin se propozim ligjin me shpejtësi të paparë e solli Kreshnik Bekteshi, kurse zgjidhja jonë ligjore vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për anulimin e Ligjit të Gjuhëve.”

Kundër këtij propozimi të Levicës ka dalur Fronti Europian. Deputetja Rina Ajdari në një deklaratë për Klan Maqedoni ka njoftuar se si koalicion, do ti përdorin të gjitha masat demokratike për të penguar miratimin e një propozim ligji të tillë dhe do të punojnë në mbrojtje të gjuhës shqipe që sipas Ajdarit është një nga themelet e Marrëveshjes së Ohrit.

RINA AJDARI – DEPUTETE “FRONTI EUROPIAN”

“Shihet se edhe “E Majta” po ndjek rrugën e VMRO-DPMNE-së në këtë drejtim, do kisha thënë se është shqetësuese unifikimi i spektrit politik maqedonas kundër përdorimit të gjuhës shqipe dhe rënimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe ne si BDI po edhe si Front Europian do të përdorim të gjitha mekanizmat demokratik për të mbrojtur gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në RMV dhe për të mbrojtur themelet e Marrëveshjes paqësore të Ohrit.”

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese pritet gjatë muajve në vazhdim të sjellë edhe vendimin përfundimtarë për ligjin e famshëm të gjuhëve, përmes të cilit është rregulluar edhe statusi i gjuhës shqipe, respektivisht gjuhës të cilën e flasin 20% të qytetarëve të këtij vendi. Kundër një vendimi të tillë paraprakisht kanë dalë edhe nga VLEN për më tepër, Fronti Europian kishte organizuar edhe protesta në mbrojtje të ligjit i cili sipas tyre, garanton përdorimin e gjuhës shqipe.