Legjenda Oliver Kahn pritet të blejë një klub francez të futbollit

Portieri legjendar gjerman, Oliver Kahn ka konfirmuar bisedimet që ka nisur me klubin francez, Bordeaux, për blerjen e mundshme të aksioneve të gjigantit francez që gjendet në vështirësi.

Sipas portalit Sud Ouest, Oliver Kahn është në kontakt me presidentin e Girondinëve, Gerard Lopez dhe mund të marrë rolin e një prej pronarëve të klubit, së bashku me ish-presidentin e Marseille, Jacques-Henri Eyraud.

“Diskutimet për një hyrje të mundshme në Bordeaux janë vetëm në fillim. Nuk ka asgjë më shumë për të thënë për momentin”, konfirmoi Kahn për gazetën Bild.

Kahn ka qenë jashtë fushës që nga prilli 2023 pasi u largua nga Bayern Munich kur u shkarkua nga posti i menaxherit të përgjithshëm dhe hyrja e tij në Bordeaux sigurisht që do të ishte një surprizë e madhe duke pasur parasysh që gjigantët francezë po konkurrojnë në ligën e katërt amatore pas falimentimit.

Meqë ra fjala, Bordeaux është në vendin e katërt në Championnat National 2, 11 pikë prapa liderit Saint-Malo, por edhe me dy ndeshje më pak, ndërsa vetëm vendi i parë garanton ngjitjen në një ligë më lartë.

Bordeaux ishte gjashtë herë kampion i Francës, herën e fundit në vitin 2009 dhe u rrëzua nga rangu elitar në vitin 2021.

Për Bordeauxin kanë luajtur ndër të tjera yje të mëdhenj si Alain Giresse, Jean Tigana, Christophe Dugarry, Pedro Pauleta dhe sigurisht emri më i madh është Zinedine Zidane.

Në anën tjetër, si portier i Bayernit, Kahn fitoi tetë tituj të kampionatit gjerman dhe në këtë klub ai bëri 429 paraqitje në periudhën 1994-2008.